Kosovë Lajme

FSK-ja thotë se po hetohen rrethanat e lëndimit të ushtarit gjatë stërvitjeve

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka dhënë detaje lidhur me lëndimin e një ushtari gjatë një aktiviteti stërvitor në poligonin ushtarak në fshatin Babaj të Bokës.

    Është bërë e ditur se rrethanat e incidentit janë duke u trajtuar nga strukturat përgjegjëse, në përputhje me procedurat institucionale.

    Sipas njoftimit nga Drejtoria e Informimit të FSK-së për media, ai ka pësuar lëndim të lehtë dhe menjëherë pas incidentit i është ofruar ndihma e parë mjekësore. Bëhet e ditur se ai po e vazhdon trajtimin mjekësor dhe gjendja e tij është stabile.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e standardeve dhe procedurave të sigurisë gjatë realizimit të të gjitha aktiviteteve stërvitore dhe operacionale. FSK-ja i uron pjesëtarit shërim të shpejtë dhe rikuperim të plotë”, thuhet tutje në njoftim.