Bashkimi Evropian ka prezantuar paketën e 22-të të sanksioneve ndaj Rusisë, duke zgjeruar presionin ekonomik, financiar dhe diplomatik ndaj Moskës për shkak të luftës në Ukrainë. Masat e reja synojnë bankat ruse, platformat e kriptomonedhave, flotën detare në hije, si dhe pjesëmarrjen e sportistëve dhe ekipeve ruse në aktivitetet sportive dhe kulturore në Evropë.
Lajmin e bëri të ditur të hënën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një reagimi në rrjetin social X.
“Sot, ne paraqesim paketën tonë të 22-të të sanksioneve. Qëllimi është të ushtrohet presion mbi Rusinë për t’i dhënë fund luftës së saj agresive në Ukrainë”, deklaroi von der Leyen, duke theksuar se BE-ja do të vazhdojë të propozojë masa të reja deri në arritjen e një angazhimi real të Moskës për paqe të qëndrueshme.
Një nga pikat kryesore të paketës është zgjerimi i kufizimeve financiare ndaj rreth 60 bankave ruse, të cilat do të përjashtohen nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT. Gjithashtu, Brukseli synon të godasë rrjetet e kriptomonedhave dhe platformat e pagesave që përdoren për të shmangur sanksionet.
Masat do të shtrihen edhe ndaj vendeve të treta që ndihmojnë Rusinë të anashkalojë kufizimet evropiane. Për këtë qëllim, Komisioni Evropian ka nisur edhe një grup të posaçëm pune për sanksionet që lidhen me kriptomonedhat.
Paketa parashikon gjithashtu zgjerimin e ndalimit të shërbimeve në sektorin e energjisë, duke përfshirë për herë të parë edhe shërbimet e energjisë elektrike. Ndërkohë, më shumë se 70 anije të tjera të lidhura me të ashtuquajturën “flotë në hije” të Rusisë do të përfshihen në listën e sanksioneve.
Von der Leyen njoftoi gjithashtu propozimin për ndalimin e të gjitha anijeve cisternë të siguruara në Rusi, si dhe vendosjen e kufizimeve të vizave për ish-luftëtarët rusë, të cilët sipas saj përbëjnë rrezik për sigurinë evropiane.
Një tjetër masë e paketës prek kompanitë ruse, pasi qytetarëve të Bashkimit Evropian do t’u ndalohet të mbajnë pozicione në organet drejtuese të kompanive me bazë në Rusi.
Sanksionet përfshijnë edhe sportin dhe kulturën. BE-ja propozon ndalimin e pjesëmarrjes së ekipeve dhe sportistëve rusë në aktivitetet sportive që zhvillohen në territorin e saj, kur ata garojnë nën flamurin rus. Gjithashtu, parashikohet ndalimi i shfaqjes së simboleve zyrtare ruse gjatë këtyre aktiviteteve.
Brukseli synon të kufizojë edhe transfertat financiare nga sponsorët rusë drejt shoqatave sportive dhe kulturore në Evropë, si dhe të vendosë kufizime për shtetasit rusë që mbajnë poste drejtuese në federatat sportive evropiane.
“Pozicioni ynë është i qartë. Ne po i japim Ukrainës forcën për të siguruar paqen dhe Rusisë çdo arsye për ta zgjedhur atë”, përfundoi von der Leyen.

