Maqedoni

Kundërshtimi i ZNAM-it për Jurisprudencën, Kasami: Prandaj Fillkovi nuk është më ministër!

    Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka komentuar kundërshtimin e partisë ZNAM për mbajtjen e Provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke thënë se nuk është hera e parë që kjo parti mban qëndrime të tilla.

    Në intervistën në emisionin “Verdict” në TVM2, Kasami deklaroi se ZNAM, si partneri më i vogël në Qeveri, përmes deklaratave të tilla po mundohet të gjejë hapësirë politike.

    Ai rikujtoi se qëndrime të ngjashme ZNAM ka pasur edhe lidhur me vendosjen e flamurit kombëtar në zyrat e institucioneve, ndërsa theksoi se marrëveshja e VLEN-it për këto çështje është me kryeministrin.

    “Ata janë partneri më i vogël në Qeveri dhe mundohen ta gjejnë veten me kësi deklarata, nuk është hera e parë. E dini sa i përket flamurit kombëtar në zyrat e institucioneve kanë pasur qëndrime të ngjashme. Ata marrëveshjen e kanë me kryeministrin, ne me kryeministrin. Është problem i tyre se a do të vazhdojnë të jenë në Qeveri”, deklaroi Kasami.

    Sa i përket Provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ai tha se VLEN ka arritur marrëveshje me kryeministrin që zgjidhja ligjore të kalojë në Kuvend pas miratimit dhe marrjes së rekomandimit pozitiv nga Komisioni i Venecias.

    I pyetur për qëndrimet e ish ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov i cili edhe gjatë kohës kur ishte pjesë e ZNAM-it kishte shprehur retorikë të ngjashme, Kasami u përgjigj shkurt:

    “Prandaj nuk është më ministër”, ka thënë Kasami.