Raportimet e fundit mbi dosjen e Ergys Agasit kanë nxjerrë në dritë një tjetër dimension të çështjes, që shkon përtej lidhjeve të tij me ish-drejtuesen e SHISH-it, Vlora Hyseni, dhe kontakteve me dy shtetas izraelitë. Në qendër të komunikimeve të publikuara së fundmi shfaqet një përpjekje për të siguruar akses tek ambasadori i ri amerikan në Tiranë, me synimin për t’i paraqitur atij akuza kundër prokurorit të SPAK-ut që po hetonte Agasin.
Ndërsa Shqiptarja.com raportoi më 5 nëntor për ekzistencën e një rrjeti ndërkombëtar kontaktesh që SPAK dyshon se ishte vënë në shërbim të Agasit, një analizë e publikuar nga Tirana Examiner e zgjeron historinë përmes mesazheve të tjera, të cilat redaksia thotë se i ka parë në formën e pamjeve të ekranit.
Sipas këtyre komunikimeve, Agasi kishte nisur që në muajin qershor të interesohej për Eric Wendt, në atë kohë i nominuar për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Ai i kishte dërguar një kontakti izraelit informacion mbi karrierën e diplomatit amerikan, duke theksuar veçanërisht shërbimin e tij të mëparshëm në Jerusalem dhe duke kërkuar kontakte apo informacione që mund t’i shërbenin për t’iu afruar.
Por pjesa më domethënëse e komunikimeve i përket 6 gushtit, kur Agasi, sipas Tirana Examiner, diskutonte dy kanale të mundshme për të arritur te ambasadori amerikan.
I pari ishte një pronare televizioni, të cilën Agasi e konsideronte personin e tij më të besuar për të zhvilluar një takim me diplomatin. Madje, në komunikime përmendej edhe mundësia që ambasadori ta jepte intervistën e tij të parë në televizionin e saj, si një mënyrë për të krijuar marrëdhënie të mira.
Kanali i dytë ishte vetë drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Sipas mesazheve, Agasi pretendonte se ajo do të takohej me ambasadorin dhe do t’i paraqiste prova që, sipas tij, tregonin se prokurori i SPAK-ut kishte vepruar për interesa të tjera.
Një prej mesazheve më të rëndësishme është pyetja që kontakti izraelit i drejton Agasit: “A mund të më thuash saktësisht çfarë na duhet nga ambasadori?”
Përgjigjja, sipas analizës së Tirana Examiner, e orienton bisedën drejtpërdrejt te prokurori që po hetonte Agasin. Kjo e vendos komunikimin në një kontekst tjetër nga ai i raportimit fillestar për miqësinë mes Agasit dhe Hysenit apo për rrezikun e mundshëm të arratisjes së ish-drejtueses së SHISH-it.
Një tjetër element që ngre pikëpyetje është identiteti i kontaktit izraelit, i ruajtur në telefonin e Agasit me emrin “Srulik Einhorn Koces”. Tirana Examiner vëren se emri përkon me atë të strategut politik izraelit Srulik Einhorn, i njohur për bashkëpunimin me Benjamin Netanyahun dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Megjithatë, media në fjalë thekson se nuk ka arritur të verifikojë nëse numri i telefonit i përket realisht këtij personi.
Nëse raportimi i Tirana Examiner konfirmohet nga dokumentacioni i plotë hetimor, çështja nuk do të kufizohej më vetëm te kontaktet ndërkombëtare të Agasit, por do të ngrinte edhe pyetje mbi përpjekjet e tij për të ndikuar në mënyrën se si një përfaqësues i lartë diplomatik amerikan informohej për një hetim të SPAK-ut.
Megjithatë, ka një dallim thelbësor mes asaj që Agasi shkruante dhe asaj që mund të ketë ndodhur realisht. Nuk dihet nwse pronarja e televizionit apo Vlora Hyseni kishin pranuar të vepronin sipas pretendimeve të Agasit apo se ndonjë prej takimeve me ambasadorin amerikan u realizua.
Por pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia lajmit: jo te prova se ambasadori amerikan u ndikua, por te fakti që Agasi po diskutonte mënyra për të arritur deri tek ai.

