Rajon

Kamberi: Pasivizimi i adresave na pamundësoi mandatin e tretë

    Bartësi i listës së Koalicionit Shqiptar në zgjedhjet parlamentare në Serbi, Shaip Kamberi, ka deklaruar për RTK-në se shqiptarët janë në garë për të siguruar mandatin e dytë, ndërsa pasivizimi i adresave ka ndikuar në humbjen e mundësisë për të fituar mandatin e tretë.

    Pak para mbylljes së vendvotimeve, Kamberi ka bërë të ditur se, sipas të dhënave preliminare të orës 19:00, në 37 vendvotime në Preshevë kishin votuar 16.600 qytetarë, ndërsa në vendvotimet shqiptare në Bujanoc 10.853 votues.

    Ai ka thënë se procesi zgjedhor ka vijuar përgjithësisht i rregullt, me disa parregullsi të vogla në fillim të votimit.

    Sa i përket mundësisë për mandatin e dytë, Kamberi ka theksuar se rezultati varet edhe nga pjesëmarrja e përgjithshme në zgjedhjet në Serbi.

    “Nëse shkon në 70%, siç po flitet, atëherë sigurisht do të kërkohen më tepër vota. Në rast të një rezultati 61–65%, kemi gjasa shumë reale ta kemi ulësen e dytë”, ka deklaruar Kamberi.

    Duke folur për pasivizimin e adresave, ai ka thënë se personat e prekur nga ky proces janë larguar edhe nga regjistrat e votuesve.

    “Kjo na ka sjellë në situatë që ne ta humbim mandatin e tretë që e kemi pretenduar”, ka deklaruar Kamberi, duke e cilësuar pasivizimin e adresave si pjesë të diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

    Ai ka përmendur veçanërisht Medvegjën, ku, sipas tij, pasivizimi i adresave ka ndikuar në rezultatet zgjedhore të shqiptarëve.

    Megjithatë, Kamberi ka vlerësuar mobilizimin e votuesve shqiptarë dhe ka falënderuar qytetarët që kanë ardhur nga Kosova për të ushtruar të drejtën e votës.

    “Ditët e fundit të fushatës zgjedhore patëm reagime nga të gjitha anët e hapësirave shqiptare, që ishte një motivim shtesë për zgjedhësit tanë”, ka thënë ai.