Kosovë Lajme

Zjarri në fabrikën në Gjakovë, policia: Rasti është në fazën fillestare të hetimeve

    Një zjarr i madh ka përfshirë gjatë së mërkurës një fabrikë të metalit në Gjakovë. Vlera Krasniqi, zëdhënëse në policinë rajonale të Gjakovës, konfirmoi për Gazetën Express se sot rreth orës 16:10, është pranuar informata se një fabrikë në fshatin Osek Hilë, në Gjakovë, është përfshirë nga zjarri.

    Krasniqi tha se njësitet relevante policore janë përgjigjur menjëherë në vendin e ngjarjes.

    “Zjarri është lokalizuar dhe është shuar. Si pasojë e zjarrit nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, tha Krasniqi.

    Sipas saj, rasti është në fazën fillestare të hetimeve dhe është duke u trajtuar nga Njësia e Hetimeve Rajonale.