Kosovë Lajme

Forumi Ekonomik Gjermani-Kosovë: Tregtia bilaterale arrin rreth 600 milionë euro, rreth 200 kompani gjermane veprojnë në Kosovë

    Thellimi i bashkëpunimit ekonomik, rritja e investimeve dhe zgjerimi i marrëdhënieve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë ishin në fokus të Forumit të tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar, ku përfaqësues të lartë institucionalë dhe ekonomikë të të dyja vendeve vlerësuan potencialin për zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit bilateral.

    Gjatë forumit, Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Besnik Vasolli, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme për Politikat Ekonomike të BE-së, Tregun e Brendshëm dhe Marrëdhëniet Bilaterale në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Energjisë të Gjermanisë, Dr. Nina Wunderlich, theksuan rëndësinë e lidhjeve ekonomike, rolit të diasporës dhe mundësive të reja për investime.

    Një nga të dhënat kryesore të prezantuara në forum ishte se tregtia bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë arriti rreth 600 milionë euro në vitin 2025, duke shënuar rritje prej afërsisht 15 për qind krahasuar me vitin paraprak.

    Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Besnik Vasolli, ka vënë në pah interesimin e madh për pjesëmarrje në forum dhe rolin e diasporës në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve.

    “Sot ne duam që Kosova të ketë një vend më të fortë në ekonominë gjermane. Ky forum tregon se sa i madh është interesi për të punuar së bashku”, ka deklaruar Vasolli, duke shtuar se diskutimet do të përqendrohen në inteligjencën artificiale, energjinë, prodhimin e avancuar dhe industrinë.

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, vlerësoi se marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve janë të fuqishme, por se ekziston ende hapësirë për zgjerimin e tregtisë dhe rritjen e investimeve.

    Ai veçoi diasporën kosovare në Gjermani si një faktor të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.

    “Gjermania është shtëpi për diasporën më të madhe kosovare jashtë vendit, e cila krijon një rrjet të afërt në nivel personal ndërmjet dy vendeve tona”, u shpreh Rudolph, shkruan Telegrafi.
    Sipas tij, kompanitë gjermane kontribuojnë në ekonominë e Kosovës përmes krijimit të vendeve të punës, bartjes së ekspertizës dhe sjelljes së teknologjive të reja.

    Rudolph theksoi gjithashtu potencialin për bashkëpunim në fushën e tranzicionit energjetik, duke vlerësuar se Kosova ofron mundësi për zhvillimin e projekteve dhe investimeve të reja në këtë sektor.

    Ai nënvizoi se, pavarësisht sfidave globale, përfshirë inflacionin dhe pasiguritë në tregjet energjetike, të dyja vendet duhet të shfrytëzojnë mundësitë ekzistuese për të thelluar partneritetin ekonomik.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij vuri në pah lidhjet e gjata ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe ekonomik.

    Ai përmendi rolin e diasporës kosovare në Gjermani si një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, ndërsa theksoi se lidhjet mes tyre shtrihen përtej shkëmbimeve tregtare.

    Kurti foli edhe për kontaktet e tij me përfaqësues të bizneseve gjermane, duke përmendur një takim të zhvilluar në maj në Nordrhein-Westfalen, ku diskutoi për mundësitë e ndërtimit të partneriteteve të reja ekonomike.

    Gjatë forumit, kryeministri vuri theksin te rëndësia e tërheqjes së investimeve të huaja dhe shfrytëzimit të potencialit ekonomik të Kosovës. Bashkëpunimi me bizneset gjermane, sipas tij, përbën një mundësi për zhvillim ekonomik, zgjerim të aktivitetit prodhues dhe krijim të vendeve të reja të punës.

    Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme Dr. Nina Wunderlich prezantoi të dhëna mbi zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve, duke vlerësuar rritjen e tregtisë bilaterale dhe praninë e kompanive gjermane në Kosovë.

    “Në vitin 2025, tregtia jonë bilaterale arriti përafërsisht 600 milionë euro, një rritje prej rreth 15 për qind krahasuar me vitin e kaluar, dhe kjo është shumë impresionuese”, deklaroi Wunderlich.

    Ajo bëri të ditur se, sipas të dhënave të dhomave të tregtisë, rreth 200 kompani me kapital gjerman janë aktive në Kosovë.

    Wunderlich theksoi se partneriteti ndërmjet dy vendeve nuk kufizohet vetëm në vlerën e tregtisë dhe investimeve, por mbështetet edhe në lidhjet e ngushta njerëzore dhe ekonomike.

    “Partneriteti ynë është shumë më larg se shifrat e tregtisë dhe investimeve”, u shpreh ajo, duke përmendur se rreth 600 mijë pjesëtarë të diasporës kosovare në Gjermani krijojnë lidhje personale që mund të shndërrohen në mundësi ekonomike afatgjata.

    Sipas Wunderlich, bashkëpunimi ekonomik po zgjerohet edhe në sektorë të tjerë, përfshirë prodhimin, shërbimet digjitale dhe teknologjitë inovative. Këto fusha mund të kontribuojnë në integrimin më të madh të Kosovës në zinxhirët evropianë të vlerës.

    Investimet dhe tranzicioni energjetik, mundësi për bashkëpunim të mëtejshëm

    Diskutimet në Forumin e tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar nxorën në pah rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit përtej tregtisë tradicionale, me fokus në investimet, zhvillimin teknologjik, prodhimin dhe energjinë.

    Përderisa Gjermania mbetet një partner i rëndësishëm tregtar dhe investues për Kosovën, të dhënat e prezantuara në forum tregojnë për potencialin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve.

    Rritja e tregtisë bilaterale, prania e rreth 200 kompanive me kapital gjerman dhe lidhjet e krijuara përmes diasporës u veçuan si faktorë që mund të ndihmojnë në zgjerimin e investimeve dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike.

    Forumi shërbeu si platformë për diskutimin e hapave të ardhshëm të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, në një kohë kur tërheqja e investimeve dhe diversifikimi i ekonomisë mbeten ndër çështjet me rëndësi për zhvillimin ekonomik të Kosovës.