Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës ka prezantuar raportin me listën preliminare të personave të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.
Sipas raportit, për periudhën 1 janar 1998 – 20 qershor 1999 janë dokumentuar gjithsej 12,230 viktima të luftës në Kosovë.
Kurti theksoi se në mesin e viktimave janë 1,047 fëmijë të vrarë, 94 fëmijë që vdiqën si pasojë e kushteve të luftës, ndërsa 100 fëmijë vazhdojnë të jenë të zhdukur me dhunë.
Ai tha se vrasja e mbi një mijë fëmijëve nuk është vetëm një statistikë tragjike, por një plagë e thellë për shoqërinë kosovare dhe një akuzë e përhershme ndaj barbarisë së luftës.
Sipas Kurtit, të dhënat dëshmojnë intensitetin e jashtëzakonshëm të dhunës, krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të kryer nga forcat serbe gjatë pranverës së vitit 1999.
Kryeministri në detyrë theksoi se lista është preliminare dhe do të vazhdojë të përditësohet me dokumente dhe dëshmi të reja, me synim ndërtimin e një baze institucionale të të dhënave që do t’i shërbejë së vërtetës historike dhe brezave të ardhshëm.
Ai shtoi se raporti përfaqëson jetë njerëzish, familje dhe histori që nuk mund të reduktohen në numra, ndërsa lista është pjesë e angazhimit të shtetit për të vërtetën, drejtësinë dhe ruajtjen e kujtesës për viktimat e luftës.

