Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk e kanë mohuar arritjen e marrëveshjes në parim, për koalicion me Lidhjen Demokratike.
Deputeti i zgjedhur i kësaj partie, i cili është edhe ministër në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë të mos jetë i informuar për këtë zhvillim, për të cilin Koha ka raportuar të mërkurën.
“Unë nuk kam ndonjë informacion për këtë çështje, prandaj edhe nuk mund ta mohoj e as ta pohoj. Mirëpo, e di që përpjekjet do të vazhdojnë dhe e di që kryeministri nuk do të ndalet vetëm me takimet dhe diskutimet që ka pasur, por do të vazhdojë edhe më tej në mënyrë që të gjejë një zgjidhje”, ka thënë Maqedonci.
Burime të mediumit kanë thënë një ditë më parë se në takimin e së premtes së shkuar, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë pajtuar në parim për marrëveshje koalicioni.
“Ne përpiqemi maksimalisht. Jemi aktivë e konstruktivë për takime dhe bashkëbisedime, të hapur e të sinqertë për marrëveshje. Shpresojmë që opozita nuk do të barrikadohet kundër dhe të na çojë në zgjedhje përsëri”, ka thënë Manxhuka.
Sipas informatave të siguruara, LDK-ja do të përfshihet në koalicion qeverisës duke marrë zëvendëskryeministrin e parë dhe tri ministri, e edhe pozitën e kryetarit të Kuvendit.
Abdixhiku të mërkurën mbrëma ka thënë se i ka pezulluar negociatat me Vetëvendosjen, shkaku i inicimit të shkarkimit të tij. Ai ka akuzuar zyrtarë të LDK-së se duan ta bllokojnë formimin e institucioneve të reja.
“Vetë situata në të cilën ndodhet Lidhja Demokratike e Kosovës nuk jep shumë shpresë që aty ka një unitet dhe kohezion që të vazhdohet me ndonjë koalicion. Pra, edhe po të ketë kohezion, edhe po të ketë unitet, numrat janë shumë të brishtë, ta them ashtu, e për më tepër zoti Kurti prapë i vë kushtet e veta mbi 84-85 deputetë, të cilat pastaj me Lidhjen Demokratike të Kosovës assesi nuk i zhvilluan”, ka thënë Murati.
LVV-ja dhe LDK-ja kanë lidhur koalicion pas zgjedhjeve të 2019-s. Por, bashkëqeverisja ka zgjatur më pak se dy muaj të plotë.

