Kosovë Lajme

Kallëzim penal ndaj Ivica Daçiqit në Kosovë, kërkohet fletarrestim ndërkombëtar

    Avokati Gent Gjini nga Prizreni ka përgatitur kallëzim penal kundër zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiq, për shkak të deklaratave të tij për ripushtimin e Kosovës dhe valëvitjen e flamurit serb në Prizren. Përmes këtij kallëzimi, të drejtuar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kërkohet edhe lëshimi i një fletarrestimi ndërkombëtar ndaj politikanit serb. Gjini pretendon se deklaratat e Daçiqit përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Avokati ka kërkuar që ndaj Daçiqit të ndërmerren veprime penale, duke pretenduar se deklaratat e tij përbëjnë elemente të veprës penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit. Përveç ndjekjes penale, Gjini ka kërkuar që ndaj Daçiqit të lëshohet fletarrestim ndërkombëtar, përmes mekanizmave të INTERPOL-it dhe bashkëpunimit me autoritetet e shteteve mike.

    Kosovapress shkruan se kallëzimi penal mban datën 12 tetor 2026 dhe është nënshkruar nga avokati Gent Gjini. Megjithatë, nga dokumentet e siguruara nuk mund të konfirmohet nëse kallëzimi është dorëzuar dhe regjistruar zyrtarisht në Prokurorinë Speciale, apo nëse kjo e fundit ka ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me kërkesën.