Deputetja e VLEN-it, Mimoza Musa, ka reaguar pas protestave të dhunshme në Tiranë, duke shprehur solidaritet me studentët dhe të rinjtë që, sipas saj, po përballen me dhunën teksa kërkojnë të drejtat e tyre.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Musa ka theksuar se pamjet nga kryeqyteti shqiptar janë të dhimbshme, veçanërisht për familjet që i kanë rritur fëmijët me sakrifica dhe shpresën për një të ardhme më të mirë.
“Asnjë prind nuk duhet të ketë frikë për fëmijën e tij vetëm sepse ai ngre zërin. Asnjë student nuk duhet të ndiejë pasiguri kur kërkon të drejtat e tij”, ka shkruar Musa.
Ajo ka vënë në pah përgjegjësinë e institucioneve për të garantuar sigurinë e studentëve, duke kërkuar që zëri i tyre të dëgjohet, shqetësimet të merren seriozisht dhe dinjiteti i tyre të respektohet.
Në fund të reagimit, deputetja e VLEN-it ka bërë thirrje për solidaritet me studentët shqiptarë, duke theksuar se mbrojtja e të rinjve nënkupton mbrojtjen e shpresës, dinjitetit dhe të ardhmes së shoqërisë.
“Solidaritet me studentët e Shqipërisë!”, ka përfunduar Musa.

