Kosovë Lajme

Kosova përballë 111 reformave për të siguruar mbi 882 milionë euro nga BE-ja

    Janë gjithsej 111 hapa reformash të cilat Kosova duhet t’i ndërmarrë në mënyrë që të përfitojë nga shuma e plotë e alokuar prej Planit të Rritjes, në vlerë prej mbi 882 milionë eurosh.

    Për 13 reforma, me vlerë të përgjithshme rreth 91 milionë euro, Kosova ka afat t’i përmbushë deri në fund të qershorit, ndërsa dhjetori është afati përfundimtar për 27 hapa të tjerë që kapin vlerën mbi 165 milionë euro.

    Mjetet financiare nga Plani i Rritjes janë të kufizuara në kohë dhe të gjitha reformat duhet të përmbushen deri në vitin 2027.

    Kosova ishte ndër të parat që dorëzoi agjendën reformuese, por mjetet financiare i mori me vonesë, kryesisht për shkak të ngërçit politik që përshkoi tërë vitin e kaluar.

    Pagesat sipas Planit të Rritjes do të bëhen në mënyrë progresive, paralelisht me zbatimin e reformave që ndërmerr shteti përfitues. Nëse hapa të caktuar reformash nuk përfundojnë brenda afateve të përcaktuara, fondet përkatëse nuk do të disbursohen.

    Në këtë rast, Komisioni Evropian ka të drejtë t’i rialokojë këto mjete tek shtetet e tjera të rajonit që janë më të avancuara në zbatimin e reformave.