Kosovë Lajme

BE-ja pret një “fillim të ri” në raportet me Kosovën

    Bashkimi Evropian pret një “fillim të ri” në raportet me Kosovën pas një periudhe gjatë së cilës ka pasur mjaft mospajtime dhe madje edhe konfrontime, të cilat kishin rezultuar me masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Në reagimet e para të Përfaqësueses së lartë Kaja Kallas dhe Komisioneres për zgjerim Marta Kos u pa një vullnet për një dinamikë të re në raporte pas formimit të qeverisë së re me një shumicë stabile në Kuvend. Marta Kos paralajmëroi vizitë sa më të shpejtë në Kosovë, vendi i vetëm të cilin për më shumë se një vit, që kur ka nisur mandati i saj, akoma nuk e ka vizituar. Ndërsa Kaja Kallas shprehu gatishmërinë që, në bazë të kompetencave të saja, të organizojë sa më shpejt një takim në nivel të lartë mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut. Takime të tilla nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023, ndërsa edhe takimet në nivel të kryenegociatorëve kanë qenë të rralla.

    Një zëdhënës i BE-së, duke u përgjigjur në pyetjet se cilat janë pritjet nga qeveria e re e Kosovës, përmendi kryesisht dialogun me Serbinë, përfitimet e Kosovës nga plani i rritjes dhe rikthimin e fokusit të Kosovës në reformat evropiane.

    “Bashkimi Evropian mirëpret konstituimin e shpejtë të Kuvendit dhe formimin e qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Pas gati një viti të bllokadës politike dhe pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit të vitit 2025, votimi i qeverisë në Kuvend ofron një nisje të freskët në çështje të brendshme, por edhe në vazhdimin e agjendës drejt BE-së”, thotë zëdhënësi i BE-së.

    “BE vlerëson përpjekjet e liderëve politikë për t’i dhënë hapësirë dialogut dhe arritjes së kompromisit për të formuar institucionet. Ka shumë punë për të bërë për avancimin e raporteve mes Kosovës dhe BE-së dhe në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë. BE-ja pret hapjen e një kapitulli të ri në raportet tona, bazuar në vlerat e përbashkëta dhe mirëkuptimin e ndërsjellë”, thuhet në prononcimin e BE-së.

    Një prej çështjeve kyçe, e cila do të dominojë edhe raportet e Kosovës me BE-në, është dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë, i cili mbetet parakusht edhe për avancimin e të dyja palëve në rrugëtimin e tyre evropian. Pasi për një kohë të gjatë, më shumë se dy vite, nuk ka pasur takime në nivel të lartë në procesin e dialogut, BE tash shprehet e gatshme të organizojë një takim të tillë.

    “Në këtë kontekst, Përfaqësuesja e lartë ka për qëllim të mirëpresë një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë për normalizimin e raporteve së shpejti, të përgatitur nga Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së”, thotë zëdhënësi i Bashkimit Evropian.

    Në BE thonë se vërtet presin një “fillim të ri” në raportet me Kosovën pas një periudhe në të cilën ka pasur shpesh konfrontime dhe mospajtime. Shumica stabile të cilën qeveria e re e ka në Kuvendin e Kosovës shihet në BE si një përparësi, e cila do të ndihmojë që qeveria t’i qaset punës me përkushtim më të madh.

    “Mandati i fuqishëm të cilin e ka marrë qeveria do të duhej t’i mundësojë Kosovës që të kthehet në binarët e rrugëtimit drejt BE-së, posaçërisht duke i kthyer si prioritet reformat e lidhura me BE-në dhe duke shfrytëzuar maksimalisht mjetet e planit të rritjes dhe reformave, pasi të kryhet ratifikimi i shpejtë në dobi të qytetarëve të Kosovës. Mbetemi të gatshëm të mbështesim Kosovën në këtë rrugëtim”, thuhet në emër të BE-së nga një zëdhënës i saj.

    Një prej çështjeve të cilat kanë mbetur të bllokuara në rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së është edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim. Kjo kërkesë nuk është shqyrtuar akoma nga vendet anëtare. Nga ana e tij, Komisioni Evropian mbetet i gatshëm për të kryer pjesën e vet të punës nëse një gjë të tillë e kërkojnë vendet anëtare.

    “Sa i përket kërkesës për anëtarësim në BE, siç e dini, Komisioni mbetet i gatshëm të përgatisë opinionin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim nëse një gjë e tillë kërkohet nga Këshilli”, ka thënë zëdhënësi.

    Për të fituar statusin e vendit kandidat pas kërkesës së një vendi, duhet të kalojë procedura sipas së cilës të gjitha vendet anëtare duhet të pajtohen për t’i dhënë mandatin Komisionit Evropian që të përgatisë mendimin. Pas këtij mendimi, nëse ai është pozitiv dhe vlerëson se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe rekomandohet dhënia e statusit, prapë vendimin e marrin vendet anëtare. Për Kosovën vazhdon të jetë pengesë e madhe mosnjohja e pavarësisë së saj nga 5 vendet anëtare të Bashkimit Evropian.