Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e ka përshkruar konferencën si “sizmograf” për marrëdhëniet ndërmjet Europës dhe SHBA-së, dhe gjendjen e rendit botëror në tërësi – duke theksuar se tema zyrtare e konferencës, “Nën shkatërrim”, është përshkrim i përshtatshëm i atij rendi.
“Keni zgjedhur një moto të zymtë për këtë konferencë, ‘Nën shkatërrim’, dhe kjo ndoshta do të thotë se rendi ndërkombëtar i bazuar në të drejta dhe rregulla aktualisht po shkatërrohet”, ka paralajmëruar ai. “Por kam frikë se duhet ta shprehim me terma edhe më të ashpër: Ky rend, aq i gabuar sa ka qenë edhe në kulmin e tij, më nuk ekziston”.
Në deklaratën e tij të hapjes, kryetari i konferencës, Wolfgang Ischinger, ka reflektuar mbi paqëndrueshmërinë e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla – dhe ka ftuar delegatët të duartrokasin pjesëmarrjen e një delegacioni të madh nga Shtetet e Bashkuara, të udhëhequr nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili të shtunën do t’i drejtohet konferencës.
“Partneriteti transatlantik ka nevojë për një Europë më të fortë”, ka thënë ai, “por Europa do të qëndrojë vetëm nëse shtetet europiane qëndrojnë së bashku të lidhura më ngushtë se në të kaluarën”.
Ai tha gjithashtu se konferenca duhet të organizojë “rivendosje transatlantike – nëse kjo është e mundur këtë fundjavë”.
Vitin e kaluar, zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vancen, do të rrokte vëmendjen e madhe në Munih me fjalimin që tronditi europianët pasi sugjeroi se armiku i vërtetë për të ardhmen e kontinentit vjen nga brenda, jo nga Rusia, përmes migrimit masiv dhe korrektësisë politike.
Në ditën e parë të konferencës së sivjetme pritet të flasë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

