Kosovë Lajme

Dyshimet për keqpërdorim në tenderin 400 mijë eurosh, arrestohet kryeshefi i “Eko-Regjionit”

    Kryeshefi i ndërmarrjes “Ekoregjioni” në Prizren, Burim Shala, është arrestuar të premten nën dyshimin se ka keqpërdorur autoritetin zyrtar në një aktivitet të prokurimit.

    Ai dyshohet për keqpërdorim në tenderin për blerjen e 5 kamionëve dhe të një autofshese në vlerë afro 400 mijë euro.

    Të hënën, kur Prokuroria lidhur me këtë procedurë prokurimi arrestoi edhe shefin e njësisë “Ekoregjioni” në Prizren, Arbër Gashi dhe R.Z. nga kompania “Dielli” që ka shitur kamionët, u zhvilluan bastisje edhe në shtëpinë e Shalës.

    Shala gjithashtu dyshohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Shala është ndaluar për 48 orë.

    “Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është ndaluar për 48 orë i pandehuri B.Sh. I pandehuri B.Sh., dyshohet për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të lëshuar të premten.

    Tutje thuhet se ai është arrestuar në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i zhvilluar lidhur me dyshimet për një aktivitet të prokurimit.

    Gjatë bastisjes në shtëpinë e Shalës, në mesin e provave janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike AK-47 si dhe para të gatshme.

    KOHA ditën e bastisjes ka kontaktuar me Shalën, por ai ka thënë që t’i referohemi reagimit zyrtar të kompanisë.

    E në reagimin e kompanisë thuhej se kryeshefi që nga e shtuna ndodhet në Itali, duke hedhur poshtë pretendimet se ai ndodhet në arrati.

    “Kryeshefi Ekzekutiv, z. Burim Shala, që nga dita e shtunë ndodhet në Itali, për arsye striktësisht familjare, dhe kjo vizitë nuk ka asnjë lidhje me çfarëdo pretendimi për arrati apo shmangie nga përgjegjësia. Ai prej disa ditësh ndodhet jashtë Kosovës dhe kjo është e ditur edhe më herët. Njëkohësisht, ju njoftojmë se Kryeshefi Ekzekutiv, Burim Shala brenda kësaj jave pritet të kthehet në Kosovë, dhe në asnjë rrethanë nuk i shmanget përgjegjësisë apo drejtësisë”, ka arsyetuar Kompania “Eko-Regjioni”.