Kosovë Lajme

Peci intervistohet në cilësinë e të pandehurit për grantet në Ministrinë e Bujqësisë

    Ish-ministri i Bujqësisë, Faton Peci, është intervistuar në cilësinë e të pandehurit për grantet në Ministrinë e Bujqësisë nga Prokuroria Speciale.

    “Ju njoftojmë se z. Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve, i cili është në trajtim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, njoftoi PSRK.

    Më 19 nëntor 2024, Paris Guri i Lidhjes Demokratike të Kosovës pati dorëzuar kallëzim penal ndaj Pecit duke e akuzuar për keqpërdorim të parasë publike, me pretendimin se vëllai dhe daja i kandidates për deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacoli, kishin marrë grante nga kjo ministri.

    Peci e Pacolli patën kundërshtuar akuzat, ndërsa Peci pati paditur zyrtarët e LDK-së duke i akuzuar se kanë shtyrë persona të tjerë që të bëjnë deklarime të rrejshme. Ai pati përmendur Gurin dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, se të dy e zyrtarë të tjerë të LDK-së kanë dashur të konstruktojnë fabrikime se kanë përfituar grante në bujqësi me anë të ryshfetit.

    Peci paralajmëron kallëzim penal ndaj Gurit: Dhashë sqarimet e mia në Prokurori

    Ish-ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se ka qenë në Prokurorinë Speciale të premten për të dhënë “sqarimet” lidhur me grantet në Ministri, derisa Prokuroria konfirmoi se Peci është intervistuar si i pandehur.

    Ai ka thënë se shpejt do t’i drejtohet organeve të drejtësisë me kallëzim penal kundër kallëzimit penal të Paris Gurit të LDK-së.

    “Përmes këtij postimi, ju informoj se sot isha në Prokurori për të dhënë përgjigjet dhe sqarimet e mia në kallëzimin penal të ngritur nga LDK-ja përmes ish-deputetit të saj të zgjedhur nga votat e vjedhura të mërgatës, Paris Guri. Në prokurori, sikur gjithmonë gjatë jetës sime, isha transparent, i qartë dhe i drejtpërdrejtë në lidhje me shpjegimet rreth çështjes dhe rolit që kam pasur si Ministër në procesin e granteve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, ka shkruar në Facebook.