Kosovë Lajme

Kurti u bën thirrje shqiptarëve të Luginës të votojnë për Këshillin Kombëtar Shqiptar

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që nesër, më 8 nëntor, të marrin pjesë në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar.
    Kurti ka bërë të ditur se 37.759 shqiptarë janë të regjistruar në Listën e Posaçme Zgjedhore, ndërsa katër lista me gjithsej 107 kandidatë garojnë për 29 vende në këtë institucion.
    Ai ka theksuar rëndësinë e rikthimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në përbërjen prej 29 anëtarësh, pas më shumë se një dekade me vetëm 15 anëtarë, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për përfaqësimin dhe të drejtat kolektive të shqiptarëve.
    Në mesazhin e tij, Kurti ka përmendur edhe mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për shqiptarët e Luginës, përmes teksteve mësimore, bursave për nxënës e studentë dhe përkrahjes për kulturën dhe institucionet përfaqësuese.
    Në fund, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën demokratike të votës, lirshëm dhe sipas bindjeve të tyre.