Kosovë Lajme

Lajm i mirë për shtetin e Kosovës nga Këshilli i BE-së

    Radio Evropa e Lirë

    Këshilli i Bashkimit Evropian e ka përfshirë Kosovën të hënën në listën e vende të sigurta të origjinës, në përpjekje për ta përshpejtuar kthimin e migrantëve, duke e bërë më të vështirë për qytetarët nga këto vende të kërkojnë azil në BE.

    Përveç listës për vendet e sigurta të origjinës, Këshilli arriti pajtueshmëri edhe për konceptin e vendeve të treta të sigurta.

    Blloku shpreson se këto akte ligjore do ta forcojnë zbatimin praktik të koncepteve kryesore të vendeve të sigurta në legjislacionin e BE-së për azil, synimi i të cilave është të vendosin procedura më të shpejta dhe më efektive azili për ata që nuk duhet të marrin mbrojtje brenda BE-së.

    Së bashku me Kosovën, në listën e vendeve të sigurta të origjinës janë futur edhe Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia.

    Tani i mbetet Këshillit të arrijë pajtueshmëri me Parlamentin Evropian për tekstin përfundimtar ligjor lidhur me këto dy akte.

    “Sot, u pajtuam për listën e parë ndonjëherë të BE-së për vendet e sigurta të origjinës, e cila do të ndihmojë në krijimin e procedurave më të shpejta dhe më efikase të azilit, si edhe kthimin e atyre që nuk kanë nevojë për mbrojtje. Një moment i rëndësishëm për politikën e azilit të BE-së”, tha ministri danez për Imigracionin dhe Integrimin, Rasmus Stoklund.

    Kjo nënkupton se azilkërkuesit që shkojnë në BE nga këto shtatë vende mund të përballen lehtësisht me refuzimin e kërkesave të tyre dhe me urdhër kthimi.

    Sipas Këshillit, çdo vit dhjetëra mijëra njerëz mbërrijnë në Evropë dhe kërkojnë azil edhe pse largohen nga vende të sigurta ku zakonisht nuk ka rrezik përndjekjeje.

    Numri i azilkërkuesve nga Kosova në BE është rritur pas liberalizimit të vizave më 1 janar 2024.

    Më shumë kërkesa për azil ka pasur vetëm në vitet 2015/2016 kur dhjetëra mijëra kosovarë kishin emigruar drejt BE-së përmes rrugëve ilegale të Hungarisë.

    Franca ka qenë destinacion kryesor i kosovarëve që kërkojnë azil në BE qysh nga viti 2018, kur për herë të parë zuri vendin e Gjermanisë si destinacion kryesor.

    Sipas rregullores së procedurës së azilit 2024, e miratuar si pjesë e Paktit për Azilin dhe Migracionin, shtetet anëtare duhet të zbatojnë një procedurë të përshpejtuar për aplikantët nga një vend i sigurt i origjinës dhe mund ta kryejnë atë në kufi ose në zonat e transitit.

    Rregullat për vendet e sigurta të origjinës bazohen në premisën se aplikantët nga këto vende supozohet të kenë mbrojtje të mjaftueshme kundër rrezikut të përndjekjes ose shkeljeve serioze të të drejtave të tyre themelore.

    Komisioni Evropian i paraqiti këto dy akte të reja ligjore në fillim të këtij viti./REL