(E përditësuar 17:20) – Bedri Hamza, i cili pritet të jetë kryetari i ri i PDK-së, ka filluar fjalimin e tij para delegatëve në Konventën e 12-të të PDK-së.
Hamza e ka filluar fjalimin e tij duke i falënderuar aktivistët dhe anëtarësinë e PDK-së për punën, durimin dhe qëndrueshmërinë në kohë të vështira.
“Sot është një prej atyre ditëve kur shpirti i PDK-së flet më shumë se çdo fjalë. Dhe unë, para jush, ndjej një peshë të madhe: peshën e përgjegjësisë. Përgjegjësinë ndaj sakrificës suaj, ndaj çdo ditë pune, çdo orë mundi e çdo sakrifice që keni bërë për partinë dhe vendin tonë. Ndjej përgjegjësi ndaj rrugës sonë të përbashkët, ndaj historisë që e kemi shkruar me punë e përkushtim dhe ndaj të ardhmes që po na pret. Ju falënderoj secilin prej jush, aktivistë të degëve, rininë e PDK-së dhe të gjitha strukturat, për punën, durimin dhe qëndrueshmërinë në kohë të vështira. Ju keni qenë gjithmonë motori i PDK-së. Pa ju, asnjë sfidë nuk do të ishte përballuar. Pa ju, asnjë fitore nuk do të ishte arritur”, u ka thënë Hamza, strukturave dhe delegatëve të PDK-së.
Ai ka thënë se si parti i kanë mbijetuar çdo goditjeje për një arsye të madhe.
“Sepse, PDK është ndërtuar mbi sakrificë kombëtare dhe jo mbi interesa personale. Sepse, PDK ka lindur në përballje, në qëndresë, në sakrificë. Sepse, në ADN-në e saj ka gjurmët e lirisë, ka idealin e rezistencës dhe ka frymën e UÇK-së”, ka thënë Hamza.
Hamza i ka përmendur edhe liderët e kësaj partie, të cilët janë në përfundim të procesit gjyqësor në Hagë.
“Le t’i nderojmë liderët tanë historikë, të cilët me vizion, guxim e sakrificë e bënë Kosovën shtet të pavarur e sovran. Hashim Thaçin, nënshkruesin e marrëveshjes së Rambujesë, shpallësin e pavarësisë, kryeministrin dhe presidentin që e afirmoi Kosovën ndërkombëtarisht. Kadri Veselin, heroin e heshtur, çlirimtarin e madh dhe kryetarin që e modernizoi partinë. Jakup Krasniqin, politikanin e urtë dhe zërin e pathyeshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të shtetit tonë. Sakrifica e tyre dhe e shumë të tjerëve është themeli mbi të cilin ne qëndrojmë sot”, ka thënë Hamza.

