Kosovë Lajme

Ekskluzive: Uran Ismaili drejt përkrahjes së Hajrullah Çekut, pas lojës jo fer të Përparim Ramës në Prishtinë!

    Në prag të balotazhit për Komunën e Prishtinës, burime brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) bëjnë të ditur se Uran Ismaili dhe strukturat e degës së PDK-së janë të gatshme ta përkrahin kandidatin Hajrullah Çeku, si një alternativë më të besueshme për menaxhimin e kryeqytetit.

    Ky orientim politik, sipas të njëjtave burime, vjen si pasojë e përvojës së hidhur që PDK pati gjatë bashkëqeverisjes me Përparim Ramën (LDK) në periudhën 2022–2024 — një periudhë e mbushur me tensione, mosbesim dhe vendime të njëanshme që kulmuan me prishjen e koalicionit në shkurt të vitit 2024.

    PDK kishte hyrë në qeverisjen lokale me pesë drejtori komunale dhe postin e nënkryetares, por marrëdhëniet u përkeqësuan pas disa shkarkimeve të befasishme, përfshirë atë të drejtorit të Shërbimeve Publike gjatë krizës së mbeturinave, si dhe konfliktit për projektin e Badovcit, ku PDK e akuzoi Ramën për veprime jotransparente dhe përpjekje për t’i anashkaluar partnerët në vendimmarrje.
    Në fund, Ismaili tërhoqi PDK-në nga koalicioni duke deklaruar se partia nuk mund të jetë pjesë e një qeverisjeje që “nuk respekton partneritetin dhe nuk mbron interesin publik të qytetarëve”.

    Tash, me Hajrullah Çekun në garë, PDK synon një partneritet të ri që do të garantojë bashkëmenaxhim më të drejtë, me ndarje të qartë të përgjegjësive dhe më shumë drejtori për këtë subjekt, në mënyrë që fjala e PDK-së të ketë peshë reale në qeverisjen lokale.
    Sipas burimeve, mbështetja për Çekun nuk është marrëveshje e fshehtë politike, por një orientim strategjik që synon stabilitet, profesionalizëm dhe menaxhim të barabartë në fushat kyçe të komunës.

    Në rrethin e PDK-së sipas infove të press7.tv theksohet se besimi te Përparim Rama është konsumuar përfundimisht, për shkak të “lojërave jo fer” dhe vendimeve të njëanshme që dëmtojnë koalicionin dhe interesin qytetar. Përkrahja e mundshme për Hajrullah Çekun shihet si një rikthim te partneritetet e drejta dhe llogaridhënia, duke e bërë këtë balotazh një test të rëndësishëm për kulturën e re të bashkëpunimit në Prishtinë./press7.tv