Kosovë Lajme

Kurti: Opozita e ka në dorë – qeveri “Kurti 2.5” e zgjedhje në dhjetor, ose “Konjufca 1” e zgjedhje në prill

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se kanë bërë mjaft lëshime dhe se tani topi është në fushën e opozitës, e cila, sipas tij, mund të zgjedhë mes dy opsioneve: formimit të një qeverie tranzitore “Kurti 2.5” që do ta çonte vendin në zgjedhje në dhjetor, ose “Konjufca 1” që do të funksiononte deri në prill të vitit të ardhshëm.

    Cilado prej këtyre dy opsioneve, për Kurtin është i pranueshëm.

    “Meqë nuk i mora 61 votat e nevojshme, dhamë propozimin pa vonesë që Glauk Konjufca të jetë mandatar. Me këtë do të merremi menjëherë pas balotazhit. Opozita e ka në dorë ta zgjedhë rrugën e mëtutjeshme – ose ‘Kurti 2.5’ drejt zgjedhjeve në dhjetor, ose ‘Konjufca 1’ drejt zgjedhjeve në prill. Cilado prej tyre për ne është e pranueshme, por duhet të bashkëpunojmë e të ecim përpara”, ka thënë Kurti të premten në mbrëmje gjatë një prononcimi për televizionin lokal të Gjakovës, “Syri Vision”.

    Ai theksoi se për Lëvizjen Vetëvendosje është më e favorshme që të votohet Glauk Konjufca si mandatar, në mënyrë që vendi të ketë një qeveri funksionale për miratimin e buxhetit, Planit të Rritjes, dhe disa marrëveshjeve ndërkombëtare, para se të shkohet në zgjedhje.

    Për Republikën e Kosovës është më mirë të votohet Glauk Konjufca dhe të kemi një qeveri që voton buxhetin, Planin e Rritjes, buxhetin për RTK-në, Prishtinën, Gjilanin e Zubin-Potokun. Me kaq vështirësi sa kemi për të arritur numrin 61, për zgjedhjen e presidentit do ta kemi shumë më të vështirë t’i bëjmë 80 deputetë në sallë. Prandaj më mirë është të kemi një qeveri afatshkurtër deri në prill”, u shpreh ai.

    Kurti e cilësoi ofertën për opozitën si “gjeneroze”, duke kujtuar se Vetëvendosje ka bërë lëvizje për të lehtësuar procesin.

    “Së pari u zëvendësua Albulena Haxhiu me Dimal Bashën, tani unë me Glauk Konjufcën. Vetë ne kemi lëvizur, ndërsa nga opozita po shohim një fiksim dhe refuzim që nuk është as logjik e as racional”, përfundoi Kurti.

    Kurti për balotazhin

    Sa i përket balotazhin që do të mbahet nesër, Kurti ka thënë se po punojnë shumë më shumë në ato komuna ku janë “ca më larg”:

    “Gjakova është njëra prej 12 komunave ku jemi balotazh. Presim të fitojmë në të gjitha komunat. Diku janë gjasat më të mira se diku tjetër, por angazhimi nuk mungon. Aty ku jemi ca më larg, jemi duke punuar shumë më shumë në mënyrë që mbi 50% të jetë rezultati në të gjitha komunat kur numërohen votat”, ka deklaruar kryeministri në detyrë.