Lajme Maqedoni

Bujar Osmani pas humbjes në Çair: tërhiqet nga politika, rikthehet në profesionin e kirurgjisë

    Pas humbjes në zgjedhjet lokale në komunën e Çairit, Bujar Osmani ka publikuar një status të gjatë në Facebook, shoqëruar me foto nga klinika ku ka rifilluar punën si kirurg.

    Në shkrimin e tij, Osmani shkruan se ekziston një heshtje që vjen pas humbjes, një heshtje që asnjë fitore nuk mund të të mësojë. Ai thekson se në atë qetësi njeriu kupton se politika shpërblen paraqitjen më shumë se ndershmërinë dhe se lidershipi nuk matet me sa njerëz të dëgjojnë, por me gatishmërinë për të dëgjuar vetë.

    “Fitoret nuk janë të tuat, përvojat po. Humbja është provë dhe rivlerësim i motiveve. Kur pushon duartrokitja, mbeten vetëm marrëdhëniet dhe vlerat e vërteta”, shkruan ai, duke shtuar se është rikthyer në sallën e operacionit për t’u kthyer ekuilibrit dhe përqendrimit profesional.

    Në fund të statusit, Osmani nënvizon se nuk është tërhequr, por është rikalibruar. “Jam këtu, me më shumë përvojë, më shumë qetësi dhe më shumë bindje se rruga e vërtetë nuk është ajo që të ngre përkohësisht, por ajo që të mban i drejtë përgjithmonë.”

    Postimi i tij shënon fundin e një faze politike dhe fillimin e një kapitulli të ri në profesionin e tij si mjek, duke përcjellë një mesazh për reflektim, ndershmëri dhe rikthim te vlerat njerëzore./ press7.tv