Dymbëdhjetë ditë para se të përfundojë afati kushtetues për formim të qeverisë së re nga mandatari i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, janë dhënë sinjale për sigurimin e një shumice parlamentare në Kuvend.
Lideri i LVV-së, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti deklaroi se janë duke e bërë një plan për të zhvilluar bisedime me partitë politike për mundësitë e ndonjë koalicioni qeveritar.
Kurti është mandatuar për kryeministër nga presidentja Vjosa Osmani më 10 tetor për formimin e ekzekutivit të ri, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës më 10 tetor.
Për zgjedhjen e Kurtit dhe kabinetit qeveritar që e prezanton para Kuvendit nevojiten së paku 61 vota nga 120 deputetë të legjislativit.
“Tepër shumë punë këto ditë. Analiza e rezultateve nga qendrat. Duhet të shohim kontributet që kanë pasur fushatat në komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë fushatën për balotazhe. Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende të zhvilloj ato komunikime”, deklaroi Kurti.
Para zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit, Kurti ka zhvilluar një sërë takimesh me liderin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj për konstituimin e Kuvendit si dhe arritjen e një bashkëpunimi për koalicion qeverisës, mirëpo pa arritur marrëveshje.
Në Nismën Socialdemokrate, e cila ka tre deputetë në Kuvend, thonë se do t’i përgjigjen pozitivisht çfarëdo ftese të Lëvizjes Vetëvendosje për të diskutuar për formim të qeverisë së re.
Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, thotë për KosovaPress se partia e saj “ka një përgjegjësi politike dhe s’ka asnjë arsye për të mos qenë në tavolinë të diskutimit me LVV-në”.
Ajo thekson se nëse formimi i qeverisë së re varet vetëm nga tri votat e Nismës Socialdemokrate, atëherë në raport me krijimin e institucioneve të reja nuk do të ketë kushte.
Megjithatë, Izmaku nënvizon nevojën që të “sqarohet pozita e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha”, pasi sipas saj, legjislativi nuk duhet të funksionojë me një figurë e cila ka krijuar përçarje.
Me të marrë detyrën e kryeparlamentarit, Dimal Basha është akuzuar se është bashkautor i një artikulli ku flitet kundër UÇK-së. Mirëpo Basha disa herë është distancuar nga ai artikull, duke thënë se kontributi i tij në të njëjtin ishte vetëm në Kapitullin 3, “i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën”.
“Nisma e ka një përgjegjshmëri politike në këto rrethana. Në momentin kur fillojmë bisedimet kemi me qenë të përgjegjshëm me fillu bisedimet në të gjitha ato kondita që i kemi pasur në vazhdimësi. S’ka një zhvillim të ri që mundemi të themi ka një vendimmarrje të re. Po i presim, nëse krijohen rrethanat të reja, nuk po besoj se është në interesin e vendit të prodhojë edhe një situatë krize të vazhdueshme për të pasur përsëri zgjedhje, pasi edhe këto zgjedhje ishin të lodhshme. Nëse themelimi i Qeverisë varet vetëm nga votat tona, atëherë sigurisht se në raport me përkrahjen për krijimin e institucioneve nuk ka kushte. Kemi pa se kushti i vetëm, sigurisht se Nisma nuk do të lejojë të funksionojë një figurë e cila ka krijuar, me e quajt ‘një përçarje’ në vend sa i përket rrethanave që ne i dimë me kryetarin aktual. Në këtë drejtim, pas sqarimit të kësaj pozite do të vazhdojmë me situatë të re dhe vendimmarrje të re… Nisma e ka përgjegjshmërinë politike me qenë aty ku i duhet vendit. Nuk ka asnjë arsye mos me qenë në tavolinë, sepse pa një tavolinë s’ka një zgjidhje politike”, thekson ajo.
KosovaPress ka tentuar të martën të sigurojë edhe qëndrimet e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së në lidhje me formimin e qeverisë së re, por të njëjtat gjatë ditës nuk kanë qenë të qasshme.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Seb Bytyçi, thotë se qeveria e re mund të formohet me përfshirjen e Nismës Socialdemokrate në qeveri si dhe, siç thotë ai, bashkëngjitjen e ndonjë deputeti individual nga partitë e ish-opozitës.
Ai përmend edhe mundësinë që marrëveshjet në balotazh për zgjedhjet lokale të shërbejnë për arritjen e një marrëveshjeje në nivel qendror, madje edhe me AAK-në përkundër diskursit të ashpër që lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka adresuar ndaj Kurtit.
“Qeveria edhe mund të formohet nëse ki parasysh se ka disa parti që mund të futen në koalicion. Prej partive të vogla është Nisma, por edhe kjo parti nuk i zgjidh të gjitha problemet, pasi nuk sigurohet numri i mjaftueshëm i deputetëve. Por si alternativë është edhe AAK-ja… S’ka lidhje diskursi në momentin e përfundimit të zgjedhjeve dhe tash pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale ato çka janë thënë më herët në politikë harrohen. Do të ketë negociata ku do të përfshihen edhe zgjedhjet lokale, balotazhi dhe siç e dimë partitë bëjnë marrëveshje shpeshherë të nënkuptuara në balotazh. Edhe kjo do të jetë pjesë e negociatave për formim të qeverisë, andaj ka mundësi që AAK-ja të futet në qeveri… Ka mundësi nëse ka ndonjë deputet që kalon në Grupin Parlamentar të LVV-së apo të Nismës ose si deputet i pavarur që i braktisë LDK-në, PDK-në apo edhe AAK-në. Kjo mund të jetë si opsion për formimin e qeverisë”, thekson ai.
Edhe profesori universitar, Mazllum Baraliu, është optimist se qeveria e re do të formohet. Ai deklaron për KosovaPress se në ditët në vijim mund të gjendet një zgjidhje për një qeveri të pakicës prej 61 deputetëve.
“Më mirë do të ishte për të gjithë, jo vetëm për koalicionin fitues dhe mandatarin për formim të qeverisë, por për të gjitha partitë parlamentare do të ishte mirë që të paktën ndonjëra prej tyre të jetë pjesë e qeverisë. Të bëhet një qeveri e cila do të ketë jetëgjatësinë aq sa të ketë, por të paktën të ketë fillim të funksionimit të qeverisë dhe institucioneve të tjera ekzekutive… Kam shpresë se do të bëhet dhe do të gjendet një zgjidhje, pasi shumë pak duhet për të pasur një qeveri të pakicës prej 61 votash”, deklaron Baraliu.
Kosova nuk ka themeluar institucionet edhe mbi tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Pasi seanca konstituive e Kuvendit u përmbyll më 10 tetor, pas gjashtëdhjetë tentativave për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Mandatari ka kohë 15 ditë që të paraqesë përbërjen e Qeverisë dhe të kërkojë miratimin nga Kuvendi. Kabineti i propozuar, për t’u miratuar, duhet të sigurojë të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë.
Në rast se nuk arrin të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve, presidentja Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh të ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë. Mandatari ka 15 ditë të tjera kohë për të dorëzuar përbërjen e re të kabinetit qeveritar në Kuvend. Nëse as pas përpjekjes së dytë qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.