Lajme Maqedoni

Saliu: Pas publikimit të audio-incizimeve, kërkohet dorëheqja e Fatmir Deharit nga kandidatura për Kërçovën

    Gazetari nga Maqedonia e Veriut, Furkan Saliu, reagoi ashpër pas daljes së incizimeve që përmbajnë akuza për amoralitet, keqpërdorim të detyrës dhe korrupsion.

    Pas publikimit të disa audio-incizimeve skandaloze që po qarkullojnë në rrjetet sociale, të cilat lidhen me kandidatin për kryetar të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, gazetari i njohur Furkan Saliu ka kërkuar publikisht që ai të japë dorëheqje menjëherë dhe të tërhiqet nga gara zgjedhore.

    Në reagimin e tij në Facebook, Saliu thekson se për shkak të miqve të shumtë nga Kërçova, ka dëgjuar shpesh për “amoralitetin e madh që ndodh aty”, por sipas tij, incizimet e fundit “janë aq të neveritshme, saqë e bëjnë të pamundur heshtjen”.

    Sipas gazetarit, ajo që dëgjohet në këto audio është problematike jo vetëm moralisht, por përmban edhe elemente inkriminuese, si “mobbing, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dyshime për korrupsion”.

    “Dehari duhet të japë dorëheqje që sonte dhe të tërhiqet nga gara për mandatin e ri. Të paraqitet para drejtësisë për të pastruar fytyrën, nëse është e mundur — e nëse jo, të marrë përgjegjësi si një ish-ushtar i UÇK-së,” – ka shkruar ndër të tjera Saliu./press7.tv