Botë Shendetesi

“Doza vdekjeprurëse”: Obsesioni i indianëve me shurupin e kollës

    Një tjetër tragjedi shëndetësore ka goditur Indinë, pasi të paktën 11 fëmijë të moshës një deri në gjashtë vjeç kanë humbur jetën në shtetin Madhya Pradesh pas konsumimit të një shurupi të zakonshëm kundër kollës. Pas disa ditësh hetime, autoritetet zbuluan se produkti përmbante 48.6 për qind diethylene glycol, një tretës industrial shumë toksik, që mund të shkaktojë dështim të veshkave dhe vdekje, shkruan BBC.

    Vetëm pak javë më vonë, raste të ngjashme u raportuan edhe në shtetin Rajasthan, ku dy fëmijë të tjerë vdiqën pasi kishin konsumuar shurupin vendas “Dextromethorphan”, substancë e rrezikshme për fëmijët e vegjël.

    Këto ngjarje kanë ringjallur kujtimet e dhimbshme të rasteve të ngjashme në të kaluarën. Në vitin 2023, shurupet e prodhuara në Indi, të kontaminuara me të njëjtin përbërës helmues, u lidhën me vdekjen e 70 fëmijëve në Gambit dhe 18 në Uzbekistan. Edhe më herët, raste të ngjashme janë raportuar në Kashmir dhe rajone të tjera indiane.

    Ekspertët thonë se këto raste pasqyrojnë problem të thellë në sistemin farmaceutik të Indisë – tregun e fragmentuar, mungesën e kontrollit cilësor dhe mbikëqyrjen e dobët shtetërore. Mijëra shurupe prodhohen nga kompani të vogla, shpesh pa miratimin e nevojshëm dhe shiten lirshëm në farmaci apo nga shitës pa licencë.

    Në zonat rurale, deri në 75 për qind e rasteve të kujdesit shëndetësor trajtohen nga persona pa trajnim profesional, të njohur si “RMP” – praktikues të vetëshpallur që shpesh u japin pacientëve shurupe të ndryshme për çdo kollë apo ftohje. Këta ilaçe përdoren edhe në qytetet e mëdha, ku prindërit e shqetësuar kërkojnë trajtim të menjëhershëm, ndërsa disa mjekë i përshkruajnë pa nevojë, duke injoruar rreziqet që mbartin për fëmijët.

    Sipas pediatrit nga Mumbai, Rajaram D. Khare, shumica e kollave te fëmijët janë virale dhe kalojnë vetë brenda një jave, pa nevojë për shurup. Ai paralajmëron se përdorimi i tepërt mund të shkaktojë efekte anësore, varësi dhe madje helmim, sidomos kur përmbajnë substanca si codeine apo ambroxol që nuk rekomandohen për fëmijë të vegjël.

    Pas rasteve të fundit, Ministria e Shëndetësisë së Indisë ka urdhëruar hetime, ka sekuestruar mostrat e shurupit dhe ka pezulluar shitjet e tij. Megjithatë, kritikët theksojnë se problemi është sistemik dhe kërkon reforma rrënjësore në mbikëqyrjen e prodhimit dhe tregtimit të barnave, si dhe fushata ndërgjegjësuese për mjekët dhe prindërit.

    Ekspertët paralajmërojnë se derisa India të frenojë obsesionin me shurupet e kollës, rreziku për tragjedi të ngjashme do të mbetet i lartë.