Kosovë Lajme

Vetëvendosje takon Lëvizjen “Arbëria” nga Maqedonia e Veriut

    Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe njëherazi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me deputetët Avni Dehari dhe Arijeta Rexhepi, pritën sot në takim përfaqësuesit e Lëvizjes “Arbëria” nga Maqedonia e Veriut.

    Në takim u diskutua për zhvillimet politike, shoqërore, ekonomike dhe kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, si dhe për përfaqësimin e tyre politik. Palët theksuan se sfidat e shqiptarëve kërkojnë bashkim, vizion dhe qëndrueshmëri.

    Një rëndësi e veçantë iu kushtua rolit të mërgatës, e cila u cilësua si forcë e madhe dhe urë lidhëse mes shqiptarëve kudo që jetojnë. Po ashtu, u trajtuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lëvizjes “Arbëria” për forcimin e zërit politik të shqiptarëve dhe avancimin e të drejtave të tyre në çdo nivel.

    Ky takim, sipas të dyja palëve, është dëshmi e përkushtimit të përbashkët që shqiptarët të kenë përfaqësim dinjitoz, politikë të pastër dhe zhvillim të qëndrueshëm, duke ndërtuar ura bashkëpunimi mbi vlera dhe jo mbi interesa./press7.tv