Kosovë Lajme

Osmani të martën dorëzon në Kushtetuese komentet për konstituimin e Kuvendit

    Presidentja Vjosa Osmani, nesër (e marte) do t’i dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese komentet lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

    Këtë e ka konfirmuar këshillëtari i Osmanit, Bekim Kupina.

    “Siç e dini, Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator. Në lidhje me meritat e rastit, Presidentja do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen në fjalë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata, pra nesër më 9 shtator”, ka theksuar Kupina.

    Të premten e javës që shkoj Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ka ndaluar zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

    Masa është vendosur në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

    Kupina ka thënë se qëndrimi i presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin.

    “Ashtu siç parashihet në 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t’i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve”, është shprehur Kupina.

    Në fund të gushtit Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryetarin dhe katër nga pesë nënkryetarët.
    Votat e mjaftueshme nuk i ka marrë asnjë nga deputetët e komunitetit serb për nënkryetar të Kuvendit e kryetari i ri Dimal Basha e ka shpallur institucionin të konstituuar.

    Pas këtij vendimi subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë, Lista Serbe, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se me vendimin e Bashës është shkelur Kushtetuta.