Këshilli Prokurorial i ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj dhe Arlinda Nallbani Gacaferin, prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor.
Ndaj tyre u hap edhe procedurë hetimore.
Valbona Haxhosaj u caktua ushtruese e detyrës së kryeprokurores në Pejë.
Propozimi për suspendim u bë nga kryeprokurori i shtetit Zejnullah Gashi, pas rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt, i cili ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si institucionet e drejtësisë i kanë trajtuar raportimet dhe kërkesat e viktimës për mbrojtje.
Zekaj u vra më 25 tetor nga ish-kunati i saj, ndërsa vetëm tri ditë më herët i kishte shkruar letër kryeprokurores së Pejës duke i treguar se jeta e saj po rrezikohej.

