Lajme Maqedoni

Mexhiti së bashku me rininë prezantoi platformën “Rinia për Çairin”

    Kandidati i koalicionit Vlen për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti së bashku me rininë prezantoi sot platformën digjitale “Rinia për Çairin”, një hapësirë interaktive e krijuar për të përfshirë rininë dhe qytetarët në ndërtimin e programit të ardhshëm zhvillimor të komunës.

    Platforma është vënë në funksion në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, si një simbolikë që nënvizon rolin kyç të të rinjve në të tashmen dhe të ardhmen e Çairit.

    “Ky nuk ishte një rastësi, sepse e tashmja dhe e ardhmja e Çairit fillon pikërisht me rininë tonë”, theksoi Mexhiti në fjalimin e tij.

    Ai u bëri thirrje të gjithë të rinjve dhe qytetarëve të jenë pjesë aktive e kësaj platforme, duke ndarë ide dhe propozime konkrete, që do të ndihmojnë në krijimin e një programi gjithëpërfshirës, realist dhe bashkëkohor për komunën.

    “Ne besojmë se zhvillimi i Çairit fillon nga përfshirja e të rinjve”, shtoi Mexhiti, duke theksuar se çdo ide ka vlerë dhe do të merret parasysh në ndërtimin e programit të ardhshëm.

    Gjatë fjalimit të tij, Mexhiti bëri të ditur se tashmë përmes platformës janë pranuar disa ide inovative, ndër të cilat veçohet nisma për krijimin e një Call Center-i për qytetarët, që do të mundësojë komunikim të drejtpërdrejtë, të shpejtë dhe efikas mes qytetarëve dhe komunës.

    Në fund, ai njoftoi edhe për fillimin e një jave të pasur me aktivitete kulturore në zemër të Shkupit:

    “Dua të shfrytëzoj rastin t’ju informoj se nga sot fillon java kulturore në Çarshi, nën emrin ‘Doku n’Çarshi’, ku për shtatë ditë me radhë do të ketë performanca artistike dhe aktivitete kulturore me pjesëmarrjen e artistëve vendorë.”