Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se 200 familje në Prishtinë, përfshirë 100 përfitues të ndihmës sociale dhe 100 familje të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së, tashmë jetojnë në banesa të rinovuara. Objektet në Hajvali dhe Medrese janë pajisur me mure të izoluara, dyer e dritare të reja si dhe me sisteme efikase të ngrohjes.
Përveç banesave sociale, në komunën e Prishtinës janë rinovuar edhe 15 objekte publike me vlerë rreth katër milionë euro, ndërsa 425 familje janë mbështetur me subvencione për izolim të shtëpive.
Në nivel vendi, 28 ndërtesa sociale janë rinovuar, ku jetojnë gjithsej 889 familje. Projekti është pjesë e programit të mbështetur nga Bashkimi Evropian me 90%, i cili zbatohet nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
Kryeministri Kurti falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen financiare, Ministrinë e Ekonomisë dhe Komunën e Prishtinës për bashkëpunimin, duke theksuar se në mandatin e ardhshëm synohet rinovimi i 400 objekteve të tjera.
Ky hap pritet të rrisë ndjeshëm cilësinë e jetesës dhe kursimin e energjisë për shumë familje kosovare./press7.tv
Statusi i plotë:
https://www.facebook.com/share/p/17FhSibMTh/?mibextid=wwXIfr