Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu ka pritur në takim shefen e re të Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Vaiani Gaidatzi.
Në një njoftim në Facebook Haxhiu ka thënë me ambasadoren ka biseduar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit, si dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet dy parlamenteve.
“Vëmendje të veçantë i kushtova rrugës evropiane të Kosovës, sidomos në prag të presidencës greke të Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2027. Vlerësova mbështetjen e Greqisë për perspektivën evropiane të rajonit dhe theksova rëndësinë e avancimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Greqia nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës.
Të hënën ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm të Greqisë, George Gerapetritis. Gjatë këtij takimi, Konjufca ka thënë se ka kërkuar që Greqia ta njoh Kosovën, mes tjerash edhe si një hap për fqinjësi më të mirë në rajon.
Konjufca ka thënë se përveç mbështetjes që Greqia i ka dhënë liberalizimit të vizave për Kosovën, bashkëpunimi të vazhdojë e të marrë më shumë hov përmes dialogut politik më të rregullt e lidhjeve më të forta ekonomike.

