Maqedoni

Nuk e bëri për 22 vjet, tani Ali Ahmeti i tregon Shasivarit si duhet të bëhet jurisprudenca shqip

    Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, i është drejtuar me një letër të hapur ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me çështjen e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, raporton Zyrtare.

    Ahmeti vlerëson se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e garanton qartë të drejtën e kandidatëve shqiptarë që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe, duke theksuar se institucionet shtetërore kanë detyrim ta zbatojnë këtë të drejtë.

    Në letrën e tij, ai kritikon qasjen e Qeverisë ndaj të drejtave gjuhësore të shqiptarëve, duke përmendur dobësimin e pozitës së Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve dhe margjinalizimin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve.

    Ahmeti shpreh shqetësim edhe për zgjidhjen që, sipas informacioneve të tij, Qeveria synon t’ia prezantojë Komisionit të Venecias, sipas së cilës provimi i jurisprudencës do të zhvillohej pjesërisht në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në gjuhën maqedonase.

    Ai e konsideron këtë propozim si prapakthim dhe degradim të së drejtës gjuhësore, duke theksuar se nuk mund të paraqitet si avancim një zgjidhje që kufizon zbatimin e ligjit.

    “Provimi i jurisprudencës duhet të jepet edhe në gjuhën shqipe. Çdo zgjidhje tjetër, e cila do ta kufizonte apo do ta kushtëzonte përdorimin e gjuhës shqipe në këtë provim, është në kundërshtim me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve”, thekson Ahmeti.

    Kreu i BDI-së rikujton se edhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve ka konstatuar shkelje të ligjit nga Ministria e Drejtësisë lidhur me kërkesat e studentëve për dhënien e provimit të jurisprudencës dhe provimeve të tjera shtetërore në gjuhën shqipe.

    Në fund të letrës, Ahmeti i bën thirrje ministrit Shasivari që të heqë dorë nga iniciativat që, sipas tij, synojnë kufizimin e të drejtave gjuhësore dhe kërkon zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

    Ai gjithashtu u drejtohet garantuesve ndërkombëtarë të Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si dhe autoriteteve në Tiranë dhe Prishtinë, duke kërkuar vëmendjen e tyre për respektimin e të drejtave që burojnë nga kjo marrëveshje.