Botë Lajme

Të dërguarit e Trumpit mbërrijnë në Kiev, priten nga Zelensky

    Të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner kanë mbërritur të dielën në Kiev, në vizitën e tyre të parë zyrtare në Ukrainë, si pjesë e përpjekjeve të ripërtërira për arritjen e paqes, më shumë se katër vjet e gjysmë pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia.

    Udhëtimi i amerikanëve vjen pas një takimi me presidentin ru, Vladimir Putin në Moskë të shtunën, në një kohë kur të dyja palët kanë intensifikuar sulmet ajrore kohët e fundit.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të dielën se qeveria e tij është e gatshme për një diskutim “konstruktiv” me të dërguarit amerikanë.

    “Ne jemi të interesuar ta afrojmë fundin e luftës. Paqja është e nevojshme. Nevojiten garanci sigurie. Nevojitet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme pas luftës. Propozimet tona janë gati”, ka thënë Zelensky në një postim në Telegram.

    Të dërguarit amerikanë kanë mbërritur me tren dhe janë pritur në stacionin e kryeqytetit ukrainas nga zyrtarë të lartë ukrainas, përpara se të takoheshin me Zelenskyn në një ceremoni në sheshin e Shën Sofisë.

    Përpjekjet e Uashingtonit zyrtar për t’u dhënë fund luftimeve kanë humbur vrullin, ndërsa administrata Trump është përqendruar gjatë gjashtë muajve të fundit te lufta në Iran. Vizita e fundit e njohur e Witkoff dhe Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, në Moskë ishte në janar, kur ata zhvilluan gjithashtu bisedime me Putinin në Kremlin.

    Takimi i së shtunës në Moskë ka zgjatur më shumë se tri orë, me dyer të mbyllura, dhe ka përfunduar pa u njoftuar ndonjë zhvillim i madh. Këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, i ka përshkruar bisedimet si konstruktive, të sinqerta dhe të dobishme, por nuk ka dhënë detaje mbi rezultatet konkrete.

    Ndërsa Moska zyrtare ka ofruar “një vlerësim gjithëpërfshirës” të situatës në fushëbetejën në Ukrainë, ka thënë Ushakov, bisedimet nuk janë përqendruar vetëm te lufta në Ukrainë.

    “Çështjet ekonomike dhe projektet potencialisht të mëdha, të dobishme për të dyja palët, mes Rusisë dhe Amerikës u diskutuan në detaje të konsiderueshme”, ka thënë ai.

    Lufta ajrore mes Rusisë dhe Ukrainës është intensifikuar, ndërsa trupat kanë hasur vështirësi për të bërë përparim përgjatë vijës së frontit, e cila shtrihet në 1,250 kilometra.

    Rusia kohët e fundit ka përdorur dronë me motor reaktiv që fluturojnë me shpejtësi të lartë, ndërsa tingulli i përsëritur i sirenave të alarmit ajror është bërë pjesë e jetës së përditshme në Kiev.

    Putin dhe Zelensky kishin rënë dakord të pezullonin sulmet ndaj kryeqyteteve të njëri-tjetrit gjatë zhvillimit të bisedimeve. Megjithatë, zyrtarët kanë thënë se gjatë natës deri të dielën, të dyja palët shkëmbyen sërish zjarr.