Kosovë Lajme

Ceremonia festive sot nga ora 18:00, Policia e Kosovës shënon 27-vjetorin e themelimit

    Policia e Kosovës shënon sot 27-vjetorin e themelimit, me një sërë aktivitetesh, ndërsa në Prishtinë do të mbahet edhe Ceremonia Solemne Festive.

    Ceremonia do të mbahet nga ora 18:00 në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, ndërsa pritja e mysafirëve nis nga ora 17:30.

    Në ceremoninë solemne pritet të marrin pjesë personalitete të larta shtetërore, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, menaxhmenti i lartë i institucionit, si dhe personalitete të tjera vendore e ndërkombëtare.

    Aktivitetet për shënimin e 27-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës kanë nisur më herët dhe janë zhvilluar me aktivitete të ndryshme.

    Policia e Kosovës u themelua më 6 shtator 1999, ndërsa pjesë e gjeneratës së parë ishin 176 kadetë, të cilët nisën trajnimin në Shkollën e Policisë në Vushtrri. Institucioni u zhvillua fillimisht si Shërbimi Policor i Kosovës, ndërsa pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës mori emërtimin Policia e Kosovës.

    Gjatë këtyre 27 vjetëve, institucioni është zgjeruar dhe profesionalizuar, ndërsa sot Policia e Kosovës ka mbi 10 mijë pjesëtarë të punësuar të rangjeve të ndryshme, përfshirë edhe personelin mbështetës.

    Ceremonia festive për 27-vjetorin do të mbahet nga ora 18:00 deri në 21:00, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.