Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ftuar Bashkimi Evropian që të dërgojë një mision vëzhgues për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të caktuara për 7 qershor.
Në një letër drejtuar presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, Haxhiu ka kërkuar që përmes një misioni të pavarur të monitorohet dhe vlerësohet procesi zgjedhor në Kosovë.
“Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, ka nxjerrë vendimin për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, ftoj Bashkimin Evropian që, përmes një Misioni të pavarur Vëzhgues, të përcjellë dhe vlerësojë zhvillimin e zgjedhjeve”, ka thënë Haxhiu, sipas njoftimit të Presidencës.
Haxhiu ka nënvizuar se prania e një misioni vëzhgues të BE-së do të ndikonte në rritjen e transparencës, kredibilitetit dhe integritetit të zgjedhjeve, në përputhje me standardet demokratike dhe angazhimet e Kosovës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ajo gjithashtu ka vlerësuar rolin e vazhdueshëm të BE-së në mbështetjen e institucioneve demokratike në Kosovë, duke theksuar se kjo ftesë është vazhdim i praktikës institucionale dhe dëshmi e përkushtimit për një proces zgjedhor të hapur dhe të besueshëm.

