Kosovë Lajme

Arrestohet babai i 27-vjeçarit që u gjet i vdekur me foshnjën e tij, rasti po hetohet si “vrasje e rëndë”

    Një 65-vjeçar është arrestuar në fshatin Demiraj të Gjilanit për “vrasje të rëndë”, pasi fillimisht u raportua se një 27-vjeçar dhe një foshnje u gjeten të vdekur në shtëpinë e tyre. I dyshuari është babai i 27-vjeçarit.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Driton Rugova.

    Sipas Rugovës fillimisht Policia e Kosovës ka pranuar informacion se në një shtëpi në fshatin Demiraj të komunës së Gjilanit, dyshohet për dy trupa të pajetë, një person i gjinisë mashkullore i vitit të lindjes 1999 dhe një foshnjë.

    Me urgjencë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se të dy personat janë pa shenja jete.

    Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes, dyshohet se incidenti ka ndodhur brenda familjes, ku në cilësinë e personit të dyshuar është arrestuar babai i viktimës (gjashtëdhjetë e psesë vjeçarë), i cili me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

    Njoftohet se në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për ndriçimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, i cili është cilësuar si “ Vrasje e Rëndë”.

    “Me vendim të Prokurorit të Shtetit trupat e pajetë dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”, thuhet në përgjigjen e Rugovës.