Shendetesi

Studimi: Një test i ri gjaku mund të përshpejtojë diagnostikimin e 50 llojeve të kancerit

Një test gjaku për më shumë se 50 lloje kanceri mund të ndihmojë në përshpejtimin e diagnostikimit, sipas një studimi të ri, shkruan BBC.

Rezultatet e një prove në Amerikën e Veriut tregojnë se testi ishte në gjendje të identifikonte një gamë të gjerë kanceresh, nga të cilat tre të katërtat nuk kanë asnjë program ekzistues kontrolli.

Më shumë se gjysma e kancereve u zbuluan në fazë të hershme — periudha kur ato janë më të lehta për t’u trajtuar dhe potencialisht të shërueshme.

Testi “Galleri”, i zhvilluar nga kompania farmaceutike amerikane Grail, mund të zbulojë pjesëza të ADN-së kanceroze që janë shkëputur nga tumori dhe qarkullojnë në gjak. Aktualisht, ai po testohet edhe nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Britanisë (NHS).

Në studim morën pjesën 25 mijë të rritur nga SHBA-ja dhe Kanadaja për një vit, ku gati një në 100 mori rezultat pozitiv.

Njeriu që udhëhoqi hulumtimin, Nima Nabavizadeh, profesor i asociuar i mjekësisë rrezatuese në Universitetin e Shkencës dhe Shëndetit të Oregonit, ka thënë se të dhënat tregojnë që testi mund të “ndryshojë në mënyrë thelbësore” qasjen ndaj zbulimit të hershëm të kancerit.

Ai shpjegoi se testi mund të ndihmojë në zbulimin e shumë llojeve të kancerit “në fazat më të hershme, kur mundësia e trajtimit të suksesshëm apo edhe shërimit është më e madhe”.

Testi arriti të përjashtonte me saktësi praninë e kancerit në mbi 99% të personave që rezultuan negativë.

Ndërsa arriti të përcaktonte me saktësi origjinën e kancerit në nëntë nga dhjetë raste.

Këto rezultate mbresëlënëse tregojnë se testi i gjakut mund të luajë rol të rëndësishëm në diagnostikimin më të hershëm të kancerit në të ardhmen.

Megjithatë, shkencëtarët që nuk ishin të përfshirë në studim theksojnë se nevojiten më shumë prova për të vërtetuar nëse testi ndikon realisht në uljen e vdekjeve nga kanceri.

Exit mobile version