Sipas raportit më të ri të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kosova pritet të ketë rritjen më të lartë ekonomike në rajon edhe gjatë këtij viti, duke ruajtur trendin pozitiv të zhvillimit pavarësisht krizave dhe sfidave globale.
Në grafikon e publikuar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, shihet se Kosova kryeson në mesin e vendeve të Evropës Juglindore, me një parashikim të rritjes ekonomike prej 4.6%, përpara Shqipërisë (4.0%), Serbisë (3.9%) dhe Maqedonisë së Veriut (2.8%).
Sipas Muratit, këto rezultate janë dëshmi se politikat fiskale dhe ekonomike të Qeverisë Kurti po japin efekte konkrete, duke mundësuar stabilitet makroekonomik pa rritur borxhin publik apo deficitin buxhetor.
“Kjo edhe njëherë e dëshmon se politikat e Qeverisë funksionojnë dhe demanton të gjithë ata që parashikuan të kundërtën,” – ka theksuar ministri Murati në publikimin e tij.
FMN vlerëson se Kosova ka ruajtur balancën fiskale dhe një ritëm të qëndrueshëm investimesh publike, ndërsa pritjet për vitin e ardhshëm mbeten gjithashtu pozitive./press7.tv