Lajme Maqedoni

Bekim Qoku: “Maqedonia e pastër nuk është pa shqiptarë – është pa hajna, racistë dhe shovenistë”

Shkup, 4 gusht 2025 – Deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, në një status të publikuar në Facebook, ka reaguar fuqishëm ndaj brohoritjeve raciste që janë dëgjuar së fundmi nëpër ndeshje sportive dhe ambiente publike.

“Dënimi duhet të jetë edhe më i fortë kur këto shprehje urrejtjeje rrezikojnë të ndezin tensione ndëretnike me pasoja të rënda për shoqërinë tonë,” – shkruan Qoku.

Ai thekson se koncepti i “Maqedonisë së pastër” nuk mund të përkthehet si përjashtim i komuniteteve jo-maqedonase, por si largim i elementeve që e ndotin shtetin.

“Maqedonia e pastër nuk është një Maqedoni pa shqiptarë, bullgarë, serbë apo të tjerë. Ajo është e pastruar kur largohet nga shovenistët, racistët, protofashistët, hajdutët e parasë publike, politikanët e korruptuar dhe biznesmenët e pandershëm.”

Qoku kujton se shqiptarët janë pjesë e pandashme e këtij vendi prej shekujsh dhe se askush nuk ka të drejtë t’u thotë të largohen nga shtëpia e tyre shekullore.

Reagime që nuk janë parë më herët

Në statusin e tij, Qoku thekson se për herë të parë pas shumë vitesh, institucionet më të larta të shtetit kanë reaguar fuqishëm:
• VMRO-DPMNE dënoi publikisht brohoritjet raciste;
• Federata e Basketbollit e RMV-së reagoi ashpër;
• Komuna e Kumanovës mori qëndrim të qartë;
• Kryeministri Hristijan Mickoski dënoi gjuhën e urrejtjes;
• Prokuroria Publike e Kumanovës ka nisur hetime penale ndaj autorëve të brohoritjeve raciste.

“Këto janë reagime që nuk i kemi parë më herët, për aq kohë sa BDI ka qenë në pushtet. BDI heshti. E konsideroi këtë si normalitet,” shkruan Qoku.

VLEN: Reagim i menjëhershëm dhe pa kompromis

Sipas Qokut, VLEN-i nuk qëndroi indiferent dhe ndërhyri menjëherë me reagim publik dhe presion institucional që ky rast të mos mbetet i pandëshkuar si shumë të tjerë më parë.

“Ndryshimi u duk si kurrë më parë. Kjo nuk është një çështje teknike – është çështje dinjiteti, barazie dhe drejtësie,” – shton ai.

Thirrje për reflektim të thellë

Në fund të statusit, Qoku fton për reflektim më të thellë rreth asaj që realisht përbën rrezik për shoqërinë maqedonase:

“Maqedonia është e ndotur kur një kryeministër është në arrati, kur një tjetër ka miliona në Dubai, kur një tjetër ka shtetësi bullgare dhe lufton partinë e vet, kur prokurorët kryesorë akuzohen për korrupsion… kjo është ndotja reale e shtetit.”

Ai përmbyll me bindjen se shqiptarët meritojnë respekt, barazi dhe dinjitet, njësoj si çdo qytetar tjetër i këtij vendi, dhe se hipokrizia, selektiviteti dhe heshtja nuk mund të jenë më standard i shtetit./press7.tv

Exit mobile version