Shkup, 4 gusht 2025 – Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup ka reaguar ashpër pas incidentit të fundit me thirrje raciste anti-shqiptare nga tifozët gjatë një ndeshjeje basketbolli në qytetin e Kumanovës.
Në një status zyrtar në rrjetin Facebook, ambasada thekson se ka përcjellë me vëmendje zhvillimet dhe ngjarjet që lidhen me këto thirrje të papranueshme.
“Duke pasur parasysh që thirrjet e tifo grupeve të tilla janë të shpeshta dhe rëndom mbretërojnë nëpër stadiume, ne i dënojmë në termat më të fuqishëm këto thirrje,” – thuhet në deklaratë.
Vlerësim për reagimet institucionale të Maqedonisë së Veriut
Ambasada vlerëson gjithashtu reagimet e institucioneve më të larta shtetërore të Maqedonisë së Veriut, përfshirë edhe qëndrimin e faktorëve politikë shqiptarë në qeveri që i kanë përkrahur këto qëndrime.
“Mjaft premtues është aktivizimi i prokurorisë dhe urojmë që autorët të i nënshtrohen pasojave juridike, duke krijuar kësisoj një trend të ndëshkueshmërisë për rastet e tilla,” thuhet më tej në reagim.
Kjo deklaratë vjen në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet ndëretnike në vend, dhe përfaqëson një qëndrim të qartë institucional kundër gjuhës së urrejtjes dhe racizmit në sport dhe hapësira publike.