Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për luftimin e dhunës me bazë gjinore, me rastin e nisjes së fushatës globale “16 Ditë të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila nis më 25 nëntor dhe përfundon më 10 dhjetor.
Haxhiu ka thënë se Kosova i bashkohet zërit global kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, duke theksuar se rrënjët e kësaj dhune qëndrojnë te pabarazia dhe normat që nxisin kontrollin e burrave mbi jetën e grave.
“Sot nis fushata 16 ditë aktivizmi kundër dhunës me bazë gjinore. Nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, institucione, organizata dhe qytetarë në mbarë botën ngrenë zërin kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. Kosova i bashkohet këtij zëri. Këtë dhunë po e luftojnë shtete nga të gjitha anët e botës, në bashkëpunim mes institucionesh e shoqërisë civile. Rrënjët e saj janë te pabarazia dhe te normat që u kanë rrënjosur bindjen se burrat kanë të drejtë të vendosin për jetën e një gruaje, kush shkon, me kë takohet, nëse shkollohet, punon dhe si i shpenzon paratë. Ky kontroll nuk është paralajmërim i dhunës, ai vetë është dhunë, është dhunë psikologjike dhe ekonomike dhe shpesh i paraprin dhunës fizike, madje dhe vrasjes”, ka thënë ajo në një video të publikuar në rrjetet e saj sociale.
Ka shtuar se përgjegjësia për dhunën është gjithmonë e atij që e ushtron, por përgjegjësia për ta ndalur, sipas saj, është e institucioneve, e familjeve dhe shoqërisë.
“Këtë vit fushata globale kërkon drejtësi për të mbijetuarat dhe fundin e mosndëshkimit. Drejtësi do të thotë që gruaja të besohet kur raporton, të mbrohet menjëherë dhe që dhunuesi të përballet me pasoja. Do të thotë edhe që gratë që ende nuk kanë mundur të flasin, të mos lihen vetëm”, ka thënë tutje ajo.
Sipas saj, gratë e Kosovës kanë treguar guxim të madh sa herë që kanë folur, por barra nuk duhet të bjerë mbi to.
“Në Kuvend ne do ta mbikëqyrim zbatimin e ligjit në çdo institucion përgjegjës. Çdo grua që jeton me frikë duhet të mund të mbështetet tek institucionet e këtij vendi. Këtë besim ne duhet ta fitojmë me veprim”, ka deklaruar Haxhiu.
https://www.facebook.com/albulenaa.haxhiuu?ref=embed_video

