Një nga serialet më të dashura të publikut shqiptar, “Familja Moderne”, do të rikthehet sërish në ekranet televizive.
Lajmin e ka bërë të ditur Radio Televizioni i Kosovës (RTK), përmes një njoftimi në rrjetet sociale, duke zbuluar se seriali do të ritransmetohet, këtë herë me cilësi të përmirësuar të pamjes, në formatin HD.
“Ju mungonte? Edhe neve. Familja Moderne kthehet në RTK, tani në HD. Të njëjtat qeshje, më shumë pikselë”, thuhet në njoftimin e RTK-së.
Seriali, i cili për vite me radhë mblodhi familjet shqiptare para ekranit, mbetet një nga prodhimet më të njohura televizive në Kosovë, me personazhe, batuta dhe situata humoristike që kujtohen edhe sot.
Ritransmetimi do të jetë një mundësi për publikun që të rikujtojë episodet e dikurshme, por edhe për brezat e rinj që të njihen me serialin që shoqëroi një gjeneratë të tërë.
Sipas njoftimit të RTK-së, “Familja Moderne” do të transmetohet çdo të diel, nga ora 20:05.

