Botë Lajme

BE-ja i ofron Serbisë bashkëpunim më të ngushtë pas fitores së Listës Studentore

Screenshot

    Bashkimi Evropian i ka ofruar Serbisë bashkëpunim më të ngushtë pas fitores së Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare, duke premtuar mbështetje për reformat që synojnë forcimin e sundimit të ligjit, lirisë së mediave dhe institucioneve demokratike, si dhe luftën kundër korrupsionit.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, mbrëmë e uruan Listën Studentore për fitoren dhe deklaruan se janë të gatshëm të ndihmojnë Serbinë të përparojë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

    Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, theksoi se zgjedhjet u mbajtën me pjesëmarrje historikisht të lartë të votuesve, pas gati dy vitesh protesta në mbrojtje të demokracisë, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Sipas saj, tani mund të nisë një etapë e re për vendin, duke theksuar se “dera drejt BE-së është e hapur”.

    Serbia ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2012, ndërsa negociatat e anëtarësimit nisën zyrtarisht në vitin 2014. Megjithatë, procesi ka ngecur kryesisht për shkak të politikave të udhëheqjes së deritanishme serbe, përfshirë shqetësimet lidhur me respektimin e standardeve demokratike dhe sundimin e ligjit, si dhe marrëdhëniet e afërta të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me Moskën, raportoi agjencia DPA.