Kosovë Lajme

Hamza: Qëndrimi ynë nuk ndryshon, Sejdiu s’është marrëveshje me PDK-në

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se vazhdojnë të kenë qëndrim konsistent sa i përket votimit fillimisht të ndryshimit të Ligjit për Specialen.

    Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti u zotua se të enjten do të votojë ndryshimet e këtij Ligji nëse
    PDK-ja ia siguron gjysmën e votave për presidentin.

    Hamza ka thënë në konferencë për media se çështja e presidentit dhe Ligji për Specialen nuk janë të ndërlidhura por vetëm ka rastisur të jenë në të njëjtën kohë.

    “Qëndrimi i PDK-së ka qenë dhe vazhdon të jetë konsistent. Aprovimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara në dy leximet. Nuk janë të lidhura me asnjë çështje politike. Ka koinciduar me çështjen e presidentit. Unë i jam mirënjohës i falënderoj të gjithë deputetët që kanë votuar pro deklartës. Por të qartësojmë lufta e popullit të Kosovës e UÇK-së nuk është luftë e cila është veç e PDK-së. Askund në deklaratë nuk shkruan për PDK-në. Unë konsideroj që nuk duhet veç PDK-ja me fol për mbrojtjen e një lufte të drejtë çlirimtare për liri dhe pavarësi. Duhet edhe partitë e tjera politike”, ka thënë Hamza.

    Hamza ka thënë se kandidati për president, Bekim Sejdiu nuk është marrëveshje me PDK-në por me LDK-në. Kryetari i PDK-së deklaroi se kërkesa e Kurtit për ta votuar presidentin nuk ishte ofertë por detyrim.

    Sipas Hamzës, edhe kësaj radhe vendi shkon në zgjedhje sepse Kurti i dëshiron të gjitha për vete.

    “Marrëveshja për Sejdiun nuk është me PDK-në është me një subjekt tjetër politik. As nuk kam vërejtje për Sejdiun por është marrëveshje jashtë PDK-së. Po ti kërkojë 10 deputetë, 11 atëherë edhe unë po ti kërkoj ty 29. Sillni në sallë qysh do le të votojnë por nuk shkojnë kështu. Nëse dojmë ta bëjmë Ligjin sjelli 29 deputetë në sallë, le të votojnë për a kundër ose edhe abstenim. Në orët e fundit nuk mundesh të imponosh marrëveshje. Ne po kërkojmë ta bëjmë ligjin. Çdo orë, çdo kohë që kalon në të vërtetë e pamundëson aprovimin e ligjit në dy leximet. Prandaj edhe herëve të kaluara vendi ka shkuar në zgjedhje si veprim, si projekt i Kurti. Edhe kësaj radhe vendi shkon në zgjedhje sepse LVV i dëshiron të gjitha për vete, edhe ato që nuk i takojnë”, ka thënë Hamza.

    Kreu i PDK-së ka thënë se me Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë arritur te pika ku të flitet për emra të përveçëm për postin e presidentit. Hamza ka shtuar se PDK-ja ka më shumë se një emër për president por varet se si do të dakordoheshin për këtë çështje.

    “Nuk kemi ardhë të emrat por për PDK-në është e rëndësishme që presidenti apo presidentja t’i ketë karakteristikat që është një përfaqësuese e denjë për postin e presidentin dhe reprezanton vendin në mënyrën më të mirë të mundshme. PDK-ja ka më shumë se një emër për president. Varet a do të dakordoheshim për një emër politik, a një president që ka qenë pjesë e politikës e nuk është apo që ka mundur të jetë pjesë e udhëheqjes së lartë shtetërore dhe ka një përgatitje që mund ta ushtroj me plot sukses postin e presidentin”, ka thënë Hamza

    Tutje Hamza ka përsëritur se kanë qenë të gatshëm për flasin për presidentin që do të dilte si rezultat i marrëveshjes me LVV-në, pasi të votohej edhe në lexim të dytë për ndryshimin e Ligjit për Specialen.

    “Po qe se do të aprovohej Ligji në të dy leximet, ne kemi qenë të gatshëm të bisedojmë për presidentin me marrëveshje që do të dilte si rezultat i marrëveshjes mes LVV-së dhe PDK-së. Unë nuk po e them në këtë rast president konsensual por president me marrëveshje mes dy partive politike. Nuk ka ndodhur aprovimi i Ligjit, kemi bërë përpjekje t’i mbledhim 40 nënshkrime. Ne i dimë numrat”, ka thënë Hamza.

    Hamza ka komentuar edhe afatin 72 orësh në bazë të rregullores së Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se është i pasaktë juridikisht deklarimi i Kurtit për këtë çështje sepse iu janë referuar nenit 123 për shmangie të procedurës.

    “Katër hapa. Asnjë hap. Nëse ligji nuk aprovohet në dy leximet dhe përfundimisht nuk prodhon efekt juridik sepse po qe se nuk finalizohet Ligji dhe vendi shkon në zgjedhje ai kthehet prej fillimit. Ne mundemi me numëru hapa sa të duam. Pse 72 orë, është e pasaktë juridikisht. Ne iu kemi referuar nenit 123 që i shmanget procedurës. Kjo përjashton afatin prej 72 orësh. Pse s’u aprovua Ligji më herët nga Qeveria”, u shpreh Hamza.