Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, ka kritikuar sërish pushtetin lidhur me kontratën për riparimin e vagonëve të trenit, e cila i është dhënë një kompanie në Serbi.
Haradinaj ka pretenduar se ndikimi i Serbisë në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë më i madh, duke e akuzuar pushtetin se po cenon sovranitetin e vendit.
“Që nga çlirimi e deri më sot, asnjëherë më parë nuk kemi qenë më larg Shqipërisë, dhe asnjëherë më parë prania dhe ndikimi i Serbisë nuk kanë qenë më e theksuar brenda Kosovës. Ky regjim në ikje po i ngjason gjithnjë e më shumë një ‘Qeverie Krahinore’ nën hijen e Beogradit, sesa udhëheqjes së një shteti sovran, të pavarur e dinjitoz”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka adresuar kritika edhe për sektorin ekonomik dhe energjetik, duke akuzuar pushtetin se po i hap rrugë ndikimit të Serbisë në Kosovë.
“Kur sovranitetin ekonomik dhe atë energjetik ia dorëzon në duar Vuçiqit, dhe pavarësinë politike e trajton si një leckë duke shkelur ligjin, Kushtetutën e vendit, çfarë mund të pritet më shumë nga këta njerëz?!”, ka shkruar ai.
Haradinaj ka kritikuar edhe retorikën e pushtetit, duke thënë se ajo dallon nga veprimet e tij.
“Ditën shesin sovranizëm e patriotizëm me fjalë shqip, e natën kurdisin e punojnë për interesat e Serbisë – 24/7”, ka shkruar Haradinaj.
Në fund, ai ka thënë se përgjegjësit për këto veprime, sipas tij, do të përballen me drejtësinë.
“Askush nuk është mbi ligjin, e aq më pak mbi Kushtetutën […] Gjithsecili sabotues dhe argat brenda këtij sistemi të dështuar, që thirret rrejshëm në emër të shqiptarisë, një ditë do të japë llogari para ligjit dhe para historisë!”, ka shkruar Haradinaj.

