Kosovë Lajme

Kosova siguron kredi prej 60 milionë eurosh për Fshatin Olimpik të Lojërave Mesdhetare 2030

    Kosova siguron kredi 60 milionë euro për Fshatin Olimpik të Lojërave Mesdhetare 2030

    Këtë e ka bërë të ditur ministri i deleguar për Evropën nga Franca, Benjamin Haddad, pas takimit me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ku u diskutua për bashkëpunimin mes dy vendeve, zhvillimet në rajon dhe mbështetjen franceze për organizimin e Lojërave Mesdhetare.

    Haddad bëri të ditur se tashmë është nënshkruar një kredi prej 60 milionë eurosh për rinovimin e kompleksit të banimit të studentëve, projekt i cili do të jetë një nga investimet kryesore për përgatitjet e Kosovës për ngjarjen e madhe sportive të vitit 2030.

    “Sapo kemi nënshkruar edhe një kredi prej 60 milionë eurosh për rinovimin e kompleksit të banimit të studentëve, i cili do të shërbejë si Fshati Olimpik për Lojërat Mesdhetare. Projekti do të përfshijë gjithashtu investime në objektet sportive dhe në shkollat përreth qendrës studentore. Ky është një investim që do të sjellë përfitime shumë përtej Lojërave Mesdhetare të vitit 2030”, theksoi Haddad.

    Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, vlerësoi mbështetjen e Francës për vendin tonë, duke theksuar se kontributi francez për Lojërat Mesdhetare shkon përtej ndihmës praktike.

    “Sot zhvilluam një takim të frytshëm ku diskutuam për forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, çështjet e sigurisë dhe zhvillimet e tjera në rajonin tonë. E shpreha mirënjohjen tonë për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës, përfshirë edhe ndihmën e Francës që është e gatshme ta japë për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Ky është një kontribut që shkon përtej mbështetjes praktike. Ajo është shprehje e angazhimit të dy vendeve tona dhe e besimit të Francës, si fuqi qendrore në Bashkimin Evropian, por edhe mesdhetare, në potencialin dhe në të ardhmen e Kosovës. Kjo ua jep Lojërave Mesdhetare 2030 një dimension të ri”, deklaroi Konjufca.

    Lojërat mesdhetare “Prishtina 2030” pritet të jenë ngjarja më e madhe sportive ndërkombëtare e organizuar ndonjëherë në Kosovë, me pjesëmarrjen e mijëra sportistëve nga vendet e Mesdheut. Përgatitjet për këtë organizim përfshijnë ndërtimin dhe rinovimin e infrastrukturës sportive, si dhe projekte që synojnë të mbeten funksionale edhe pas përfundimit të garave.