Koordinatori i VLEN-it, Bekim Qoku, ka folur për historinë dhe prejardhjen e mbiemrit të tij gjatë një interviste në emisionin “Pod Go” në Telegrafi, duke theksuar se ai përfaqëson identitet, histori dhe përgjegjësi.
Gjatë intervistës, Qoku ndau edhe historikun e familjes së tij, duke përmendur figurat që, sipas tij, kanë lënë gjurmë në historinë kombëtare shqiptare.
“Qoku është një mbiemër i vjetër shumë shqiptar. I ka disa kuptime, por mos harrojmë familja Qoku është e vjetër edhe shquhet me disa figura të rëndësishme të historisë shqiptare. Iljas Qoku, Iljas Pashë Dibra është Iljas Qoku, ka qenë kryesuesi i parë i Lidhjes së Prizrenit, pra si më i plaku i kuvendit të Prizrenit e ka pasur nderin ta hapë edhe ta drejtojë seancën e parë të Lidhjes së Prizrenit”, deklaroi Qoku.
Ai shtoi se njohja e historisë familjare dhe kombëtare ndihmon për të kuptuar peshën e emrit dhe identitetit që mban secili.

