Kosovë Lajme

Pamje ekskluzive të RTK-së nga rrënimi i objekteve pa leje në Ujman

    Aksioni i nisur sot në mëngjes për rrënimin e 11 objekteve në zonën përreth liqenit të Ujmanit po vazhdon edhe më tej. Këto objekte janë ndërtuar në pronën që i përket ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”.

    Në mesin e objekteve që po rrënohen janë edhe dy vila të Ivan Zaporozhacit dhe vëllait të tij Sergejit.

    Ivan Zaporozhac është kryesues i Asamblesë së Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe nënkryetar i Listës Serbe.

    Aksioni po zhvillohet nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, me mbështetjen e Policisë së Kosovës, pas mosrespektimit të afatit të caktuar për lirimin e objekteve dhe largimin e inventarit personal.

    Nis rrënimi i 11 objekteve pranë liqenit të Ujmanit

    Ka nisur aksioni për rrënimin e 11 objekteve në zonën përreth liqenit të Ujmanit, pasi sipas Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, ato janë ndërtuar në pronë që i përket kësaj ndërmarrjeje.

    Kryeshefi ekzekutiv i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, ka bërë të ditur për mediat, se aksioni po realizohet nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, pas mosrespektimit të afatit të dhënë për lirimin e objekteve.

    Sipas Mujkës, personat që shfrytëzonin këto objekte ishin njoftuar më 3 korrik që t’i lironin dhe t’i largonin sendet e tyre personale, por kjo nuk ndodhi brenda afatit të caktuar.

    Ai theksoi se fillimisht do të bëhet largimi i inventarit nga objektet, ndërsa më pas do të vazhdohet me rrënimin e tyre, në kuadër të zbatimit të vendimit të autoriteteve kompetente.

    Policia e Kosovës po ndihmon në zbatimin e këtij veprimi.