Kosovë Lajme

Hoti kritikon Qeverinë: Rritja e çmimit të energjisë dhe naftës po rëndon qytetarët

    Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti e ka kritikuar Qeverinë në detyrë për rritje të çmimit të energjisë dhe të naftës.

    Sipas tij Qeveria nuk ka ndërmarr asnjë masë për ulje ose heqje të ngarkesave tatimore në faturat e energjisë, gjet ë cilën ka thënë se e kanë bërë disa qeveri të vendeve të Bashkimit Evropian.

    Sipas tij në Kosovë ndodh e kundërta.

    “Jo që nuk janë ulur ngarkesat tatimore në faturat e energjisë, por energjia është shtrenjtuar disa herë. Edhe për naftën, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare është reflektuar drejtpërdrejt te konsumatori. Meqë TVSH-ja llogaritet mbi çmimin e produktit, sa më i lartë çmimi i naftës, aq më e lartë është edhe shuma e TVSH-së që paguan qytetari. Përmes vendosjes së çmimit maksimal ditor, Qeveria zyrtarisht e ka bartur tek konsumatori i fundit rritjen e çmimit të furnizimit të naftës”, ka shkruar Hoti në një status në Fecebook.

    Ai ka thënë se msveprimet e qeverisë sot, lënë pasoja afatgjata në zhvillimin e gjithmbarshëm njerëzor në Kosovë.

    “Kur çmimet e të mirave elementare, siç janë energjia, rriten përtej trendit të zakonshëm dhe të pritshëm vjetor, zakonisht familjet i ulin shpenzimet në: arsim, shëndetësi, cilësinë e ushqimit, kulturë e rekreacion. Kjo mund të ketë pasoja të rënda dhe afatgjata, sidomos për fëmijët dhe familjet me të ardhura të ulëta”, ka shkruar tutje Hoti.

    Sipas tij në situata të tilla është jetike roli i shtetit për të parandaluar uljen e konsumit të familjeve për të mira elementare.

    “Një qeveri e përgjegjshme këtë e bën duke marrë përsipër një pjesë të rritjes së kostos së jetesës përmes uljes së ngarkesave tatimore për familje. Ulja e barrës tatimore sot është më e lirë për shtetin sesa kostoja që do të paguajmë nesër për familjet që sot detyrohen të heqin dorë nga shumë nevoja, duke e dëmtuar kështu zhvillimin afatgjatë të anëtarëve të tyre. Qeverisja e mirë nuk matet vetëm me sa të hyra mbledh shteti, por matet me trendin e mirëqenies së qytetarëve”, ka shkruar Hoti.