Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, ka reaguar lidhur me Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke theksuar se ai nuk është bllokuar dhe as nuk mund të bllokohet.
Përmes një postimi publik, Qoku deklaroi se projektligji ndodhet në rend dite në Seancën Plenare nr. 111, pika 8, duke shtuar se procesi për miratimin e tij vazhdon.
Ai kritikoi ashpër, siç u shpreh, “smirën, prirjet korruptive dhe mungesën e vullnetit” të kundërshtarëve politikë, duke i akuzuar se edhe pas 22 vitesh në pushtet po përpiqen të pengojnë institucionalizimin e shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës shtetërore.
“Nuk do të lejojmë që smira e tyre, prirja e tyre korruptive dhe mungesa e vullnetit për të sjellë një ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të bëhen pengesë që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të institucionalizohen zyrtarisht në të gjitha nivelet e administratës shtetërore”, shkroi Qoku. (INA)

